Kanë përfunduar hetimet për kryetarin e Bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi dhe Abedin Kerrnajën.
Byberi dhe Kërrnaja akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa akuza pritet që t’ju komunikohet zyrtarisht nesër, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Sipas hetimeve të SPAK, Byberi dhe Kërrnaja kanë miratuar në kundërshtim me ligjin një projekt për ndërtimin e rrugës “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules” me një gjatësi prej 3.2 kilometra, nga e cila 80% kalonte nëpër një rrugë këmbësore ekzistuese.
Vendimet për këtë projekt janë miratuar nga Këshilli Bashkiak Tropojë dhe konfirmuar nga Prefektura e Qarkut Kukës. Megjithatë, SPAK thekson se punimet për ndërtimin e rrugës janë kryer pa ndjekur procedurat e duhura ligjore, përfshirë aplikimin për leje ndërtimi në sistemin elektronik e-leje dhe bashkëpunimin me institucionet përkatëse si Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe ministritë përkatëse.
Hetimet përfshijnë edhe një ekspertim teknik-topografik, i cili ka zbuluar se ndërtimi i rrugës ka shkaktuar një dëm financiar prej 277,611,520 lekësh.