Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë seancën nda Dritan Rexhepit, i cili akuzohet ka qenë ai porositësi i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës.
Në seancën e zhvilluar këtë të premte trupa gjykuese vendosi të shtyjë seancën për në datën 24 janar me qëllim për t’i dhënë më tepër kohë palës mbrojtëse për tu njohur me aktet.
Në seancë i pranishëm ishte edhe Dritan Rexhepi i cili mësohet të ketë thënë se do të jetë prezent në të gjitha seancat gjyqësore që do të zhvillohen në ngarkim të tij.
Shqiptari nga fshati Velçë i Vlorës që konsiderohet si si një ndër trafikantët më të fuqishëm të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë, Dritan Rexhepi, u ekstradua nga Turqia në vendin tonë më 8 janar.
I cilësuar dhe si “mbreti i kokainës” ose dhe si “Escobari i ri”, Dritan Rexhepi u arrestua në Stamboll në nëntor të 2023, si rezultat i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të disa vendeve partnere dhe Shqipërisë. Rexhepi ishte futur në territorin turk falë një pasaporte kolumbiane.
Në vendin tonë ai akuzohet si porositës i rrëmbimit të Jan Prengës, trupi i të cilit për herë të fundit u pa brenda ambienteve të kompleksit “Golden” në Shijak në janar 2020. “Karrierën kriminale” Rexhepi e ka nisur qysh herët. Në 1998 kur ishte vetëm 19 vjecc ai vrau në Fushë-Krujë dy efektivë policie. Në 2006-ën, u arrestua në Tiranë me një armë pa leje, ndërsa u arratis nga dhoma e marrjes në pyetje në Durrës, ku dhe ishte dërguar.
Dy vite më vonë Rexhepi u arrestua në Hollandë dhe u ekstradua në Itali ku dhe ishte dënuar për trafikim të lëndëve narkotike. Në 2011-ën u arratis nga burgu i Pavias në Itali me dy shqiptarë të tjerë. Po atë vit u arrestua në Spanjë dhe u ekstradua në Belgjikë, po për trafik droge, ku u arratis për herë të dytë. Në vijim vodhi një bankë në Barcelonë, jetoi në Rotedam dhe më pas ngriti rrjetin e trafikut të kokainës përtej Atlantikut.