Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dënuar sulmin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në drejtim të kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.
KLP i cilëson deklarata e Metës shqetësuese dhe bën thirrje të mos cenohet puna e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.
Reagim i Këshillit të Lartë të Prokurorisë:
Këshilli i Lartë i Prokurorisë si organ qeverisës e kushtetues i sistemit të akuzës, ndjek me vëmendje çdo reagim publik lidhur me punën e institucionit të prokurorisë dhe në veçanti të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me shqetësim ditët e fundit, deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio vizive dhe ato elektronike, lidhur me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK) dhe kreut të saj.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.
Çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë. Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta.
Në të njëjtën kohë Këshilli mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush.
I ftuar në opiniuon, Meta nuk ka ndaluar deklaratat dhe akuzuat e ashpra ndaj SPAK-ut, ku vazhdimit e ka cilësuar si “SPAK torollak”.
Ai u shprehur se ka zero frikë nga SPAK, teksa Altin Dumanin e ka quajtur “mbrojtës të pandëshkueshmerisë”.
“Kam 0 frikë. SPAK të bëjë çfarë të dojë. SPAK torollaku, nuk e sekuestron dot Partinë e Lirisë. 0 çështje të CEZ/ DIA. Ai (i referohet Dumanit), e ka përmendur tre herë emrin tim. Ai më merr të keqen mua. Ai është një mbrojtës i pandëshkueshmërisë.
Ai është një frikacak. Ai duhet të jap dorëheqje për atë deklaratë idiote që ka bërë. SPAK është një organizatë politike. Sa i takon aspektit politik është organizata politike që merret me Berishën për të shkatërruar opozitën. Që merret me Ilir Metën. Koka e krimit të organizuar është Edi Rama.
SPAK është një vegël e Edi Ramës po të ishte e pavarur do i kishte vënë hekurat Ramës e Veliajt”, - tha Meta ndër të tjera
Ndërsa një valë të dytë akuzash të forta ndaj kryeprokurorit të SPAK Altin Dumani Meta i ka bërë sot gjatë një konference me gazetarët. Ai e ka quajtur "Karajfil" dhe "vrasës të pluralizmit politik". Ky reagim i fortë erdhi teksa Meta ishte në një konferencë për mediat dhe gazetarët i thanë se Dumani ishte përgjigjur pas akuzave të mbrëmshme.