Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar këtë të premte është duke u zhvilluar një megaoperacion me qëllim zbërthimin e një grupi kriminal i cili merret me trafikimin e qenieve njerëzore.
Burime për mediat bëjnë me dije se SPAK ka kërkuar arrestimin e 30 personave. Deri më tani janë ekzekutuar 20 urdhër-arreste, mes tyre edhe një efektiv policie identiteti i të cilit deri më tani nuk është bërë publik për mediat.
Në kuadër të këtij megaoperacioni janë zhvilluar 51 kontrolle në banesat e personave të dyshuar si pjesë e këtij grupi kriminal. Ky operacion i SPAK ka ardhur në bashkëpunim me Policinë e Shtetit si dhe ndërkombëtarët.
Mësohet se në vendin tonë kanë “zbarkuar” hetues nga Spanja, Italia, Kosova si dhe SHBA për të bërë të mundur “zbërthimin në rrënjë” dhe arrestimin e të gjithë atyre që janë pjesë e rrjeteve kriminale që merren me trafikimin e emigrantëve.
Lidhur me këtë megaoperacion priten më tepër detaje në vijim si dhe një reagim zyrtar nga organet kompetente.
DERI MË TANI:
-Janë lëshuar 30 urdhër-arreste.
-Janë arrestuar 20 persona, mes tyre një efektiv Policie.
-6 persona janë lënë arrest shtëpie.
-Janë realizuar 51 kontrolle në banesa.