
Gjykata e Tiranës ka lënë në burg pa afat 24-vjeçarin Aleksandër Krrashin, shoferi i betonieres me të cilën u përplasën për vdekje 4 të rinjtë Enejd Laçi, 25 vjeç, Erild Laçi, 20 vjeç, (vëllezër), Andi Laçi, 22 vjeç dhe Enrikejd Kurti, 24 vjeç.
Mbi 24-vjeçarin prokuroria ka ngritur akuzat “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Ndërkohë në gjykatë Aleksandër Krrashi ka dëshmuar se ka tentuar të ndihmojë të aksidentuarit, por nuk arriti dot pasi makina shpërtheu menjëherë në flakë dhe dyert nuk hapeshin. 24-vjeçari ka vijuar të thotë se më pas është nisur për në shtëpi dhe pasi është ndërruar, ka shkuar në komisariatin e Kamzës për tu dorëzuar.
“Iu shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të viktimave. Kur makina më goditi nga pas, dola menjëherë dhe tentova të hap dyert. Makina shpërtheu në flakë dhe ishte e pamundur ta ndihmoja më tej. Mora kontakt me kompaninë dhe kërkova që të sillnin një betoniere me ujë për të shuar flakët. E njoftova dhe familjen time dhe më pas shkova në shtëpi. Pas ndërrimit të rrobave, bashkë me katër familjarë të mi, shkova në Komisariatin e Kamzës ku dhe u dorëzova”, tha Krrashi.
Ndërkohë Danil Koxha, menaxheri i firmës për prodhimin e betonit "Hel-Jon shpk" është lënë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” i akuzuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Në kërkim vijon të jetë 27-vjeçari Samir Hoxha, i cili është administratori i kompanisë "Hel-Jon shpk". Gjithshtu Samir Hoxha rezulton të jetë djali i biznesmenit Ruzhdi Hoxha, i cili u gjet i vrarë në Qafë Mollë në 6 nëntor 2021.