Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Korçë-Maliq. Sipas informacioneve paraprake mësohet se aksidenti ka ndodhur në afërsi të kryqëzimit të fshatit Bulgarec. Si pasojë ka humbur jetën një person dhe kanë mbetur të plagosur dy persona të cilët me urgjencë janë dërguar në spitalin e Korçës.
Referuar detajeve të bëra me dije nga policia e Korçës mësohet se një mjet tip veturë, ka dalë papritur nga një rrugë dytësore në aksin nacional. Një mjet i tonazhit të rëndë që po lëvizte nga Korça në drejtim të Maliqit për të shmangur përplasjen ka devijuar në krahun tjetër të rrugës, duke sjellë përplasjen me një mjet tjetër.
Si pasojë fatkeqësisht humbi jetën shoferi i mjetit tip “Chevrolet”, rreth 35 vjeç.
Si pasojë e përplasjes dy mjetet kanë përfunduar në kanal. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të këtij aksidenti.