Hapësire reklamuese

Aktualitet

Agim Doçi përcillet për në banesën e fundit, bashkëshortja mes lotëve: S'u vlerësua asnjëherë, i është bërë vrasje politike

Shkruar nga Newsbomb
Agim Doçi përcillet për në banesën e fundit,
Familjaret duke i dhene lamtumiren e fundit Agim Doçit

“Mjeshtri i Madh”, Agim Doçi, mes dhimbjes dhe lotëve u përcoll këtë të martë për në banesën e fundit. Por edhe pse ka qenë autori i mijëra teksteve të këngëve shqipe, shoku i qindra artistëve dhe miku i të gjithë shqiptarëve, Agimi ishte i harruar nga instutcionet.

Kështu ka thënë ditën e sotme edhe bashkëshortja e së ndjerit, Yllka Doçi. Teksa lotët i rridhnin rrëke për shokun e saj të jetës, Ylla tha se ai asnjëherë nuk u vlerësua ashtu si duhej.

“Agimi nuk është vlerësuar sa duhet. Një mjeshtër si Agim Doçi nuk arriti të merrte as pensionin që i ka takuar prej 11 vitesh. Agimit i është bërë vrasje politike”, tha bashkëshortja e poetit kollos.

Të njëjtat fjalë kanë dalë edhe nga goja e motrës së tij. Duke pohuar se askush nuk iu ofrua për t’ i bërë homazhe një njeriu që i dha kaq shumë artit shqiptar, ajo theksoi se Agim Doçi nuk donte dashurinë e institucioneve, por të njerëzve dhe këtë e ka marrë  njësoj, si kur ishte gjallë po ashtu dhe tani që ato çfarë ka ngelur nga ai janë veprat dhe kujtimet.

“Ai nuk është vetëm vëllai im, është pjesa më e bukur e imja dhe atyre që e jetuan me krijimtarit e tij. Nuk është se na u ofrua ndonjë për homazhe, mendoj se ai është shumë i kënaqur që donte dashurinë e njerëzve dhe jo të institucioneve”, tha e motra e Agim Doçit.

Agim Doçi përcillet për në banesën e fundit,
Familjaret duke i dhene lamtumiren e fundit Agim Doçit

Agim Doçi shfaqej jo rrallë në media, por sa ishte gjallë askush nuk kujtohej që t'i lidhte një pension të posaçëm. Qeveria shqiptare vendosi të shpërblente me pension të posaçëm figura të rëndësishme të artit, por dhe të tjerë që u përfolën shumë se nuk kishte asnjë kontribut.

Poeti kollos dhe autori i më shumë se 3.000 teksteve të këngëve që janë kënduar në festivalet shqiptare nuk ishte asgjëkundi. Edhe ai vetë e dinte që nuk do e përfillnin, sepse siç thoshte "nuk e donin sa i donte".

Për ata që e njihnin dhe ishin mësuar me ironinë e tij, ata që kishin në dorë vendimin për t'i lidhur pension të posaçëm Agim Doçit nuk e donin, ndaj dhe ai nuk i donte. Ky është kuptimi i frazës që ai e përdorte sa herë që pyetje se përse ende nuk i kishin lidhur pension.

"Pensionin e posaçëm e akordon kryeministri. Po sa të jetë Edi Rama unë nuk kam për të marrë pension të posaçëm. Se e dua sa më don. Ai nuk më do dhe as unë s'e dua", shprehej poeti tre vite më parë gjatë një dalje televizive.

Fatkeqësisht, ditën e djeshme, 24 qershor, ai mbylli sytë përgjithmonë dhe nuk iu gëzua dot një pensioni të posaçëm, të cilin aq shumë e meritonte për vargjet dhe tekstet aq të ndjera të këngëve që ia la pasuri artit shqiptar. Ishin 50 mijë lekë të reja në muaj që qeveria nuk i gjeti dot për Agim Doçin.

Sikur të mos ishte ai vendim i Presidentit të ndjerë Bujar Nishani 13 vite më parë, për t'i dhënë titullin e lartë "Mjeshtër i Madh", kjo do të ishte një tjetër brengë që ai do ta kishte marrë me vete!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese