Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen e ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndërit të tij Jamarbër Malltezi, biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja dhe noteren Andia Pustina, të cilët akuzohen për dosjen “Partizani”.
Prokuroi Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai kanë dorëzuar sot materialin në gjykatë, ndërsa më pas do hidhet shorti për të caktuar trupën gjykuese.
Lideri demokrat, Sali Berisha, më 11 shtator u mor zyrtarisht i pandehur lidhur me dosjen “Partizani”. Ai mësoi nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonaj se është zyrtarisht një person i pandehur për drejtësinë shqiptare, pasi akuzohet për veprën penale “korrupsion pasiv” për dosjen “Partizani”.
Në po të njëjtën ditë, i pandehur u mor edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ndaj Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhjen me privatizimin e ish-klubit Sportiv Partizani.
Një ditë më vonë, 12 shtator, në SPAK u paraqit dhe biznesmeni Fatmir Bektashi, të cilit iu komunikua akuza “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” iu komunikua edhe Xhimi Begeja, si dhe financieres Andia Pustina, ortakë dhe lidhje në veprimtari procedurash me Jamarbër Malltezin.
FAKTI PENAL NË NGARKIM TË SALI BERISHËS DHE JAMARBËR MALLTEZIT:
Në vijim të hetimit, është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, nga:
Shtetasi Sali Berisha, është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
1- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, jane kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi.
2- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij.
3- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.
Përfitimi i parregullt në favor të shtetasit Jamarbër Malltezi, në cilësinë e bashkëshortit të vajzës së Kryeministrit, shtetasit Sali Berisha, ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se është:
1- Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi Jamarbër Malltezi.
2- Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi Jamarbër Malltezi.
3- Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi Jamarbër Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672.976.832 lek ose 5.420.345 euro.
Shtetasi Jamarbër Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin S. B., pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta si më poshtë: