Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Korçës mesditën e kësaj të marte ku një adoleshent ka mbetur i plagosur.
Sipas informacioneve paraprake mësohet se dy adoleshentë janë konfliktuar me njëri-tjetrin në afërsi të gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, në lagjen 10 të qytetit të Korçës.
Si pasojë njëri prej tyre ka mbetur i plagosur pasi ka marrë dëmtime në fytyrë nga goditjet me grushta. Ai është dërguar menjëherë në spitalin e Korçës ku dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Sakaq, mësohet se konflikti mes dy adoleshentëve ka nisur për motive të dobëta dhe ka agravuar deri në dhunë fizike.
Policia e Korçës ka shoqëruar në Komisariat njërin prej tyre, ndërkohë lidhur me këtë ngjarje deri më tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar.