Hapësire reklamuese

Aktualitet

Administratori i njësisë Gurrë e Madhe në Klos plagos qytetarin. Policia s’e arreston, bashkia e mban në punë!

Shkruar nga Newsbomb
Administratori i njësisë Gurrë e Madhe në Klos plagos
Foto ilustruese

Pas ngjarjes, ai vijon i qetë detyrën, pasi policia nuk e arrestoi në flagrancë pavarësisht se banori shkoi me fraktura në Spitalin e Traumës në Tiranë. Madje, ai vijon edhe detyrën si Administrator, megjithëse kryetarja e Bashkisë Valbona Kola ka dijeni për ngjarjen.

Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” u ankua z. Qazim Hoxha, i cili tha se pasditen e datës 27 maj, në territorin e njësisë Gurrë e Madhe, në vendin e quajtur Ura e Dekës, është goditur me sende të forta nga z. Çlirim Disha. “Kam qenë në një lokal në zonë dhe atje ishte edhe Çlirim Disha. E pyeta se përse me shikon dhe më ofendoi se më do … Më pas i thashë se nuk e meriton të jesh në atë vend. Unë ika për në banesë dhe ai më ka ndjekur nga pas me makinë. Në afërsi të Urës së Dekës kam ndaluar dhe ai ndaloi pas meje. Erdhi te xhami i derës së shoferit dhe më goditi në kokë. Nuk mbaj mënd më se më çfarë më ka goditur. Jam gjakosur dhe me fraktura të mëdha kam qëndruar 20 minuta në atë vend. Ishte ora 17;00 pasdite dhe kam shkuar te Spitali i Klosit. Ky spital më dërgoi në Spitalin e Burrelit. Por edhe Spitali i Burrelit s’më ka mbajtur, nga dëmtimet e mëdha në kokë” tha Qazimi.

Sipas tij, në spital ka mësuar se kishte 4 fraktura të rënda dhe gjakderdhje. “Spitali i Burrelit më nisi me urgjencë po atë ditë në Spitalin e Traumës. Kanë bërë ndërhyrjet, qepjet dhe aty kam qëndruar 3 ditë. Kërkova vetë që të dilja dhe të shkoja në shtëpi. Më kanë dhënë fletë-daljen që të pushoj 1 muaj nga traumat e shumta. Kanë shkruar 4 frakturat. E kam edhe fletë daljen nga spitali” vijon Qazimi.

Ai thotë se nuk ka pasur asnjëherë konflikt me këtë person dhe thotë se është nga një fshat tjetër. Pohon se e ka lidhur puna për të bërë letrat e naftës, por ai administrator nuk ia ka bërë. “Doja të merrja naftë me rimbursim dhe e morra në telefon për t’mi plotësuar. Më tha nuk ti bëj. Për këtë fola me kryetaren e Bashkisë së Klosit, znj. Valbona Kola, dhe i thashë se administratori në fjalë nuk ka as shkollën përkatëse për atë vend pune” shton Qazimi. Por, ai ka një kërkesë që të merren masa për këtë nëpunës shteti, pasi nuk është arrestuar, ndaluar apo shkarkuar nga detyra.

“Nuk e kuptoj sesi nuk e arrestuan. Atë po e mbrojnë, i ka krahët e ngrohta. E shoqëruan në polici dhe e bën plagosje të lehtë. Madje as raportin mjeko-ligjor s’e kanë marrë. As këtë fletë-daljen nga spitali. Autori më ka sjellë disa persona për ta falur. Madje në banesën time ka ardhur edhe kryetarja e Bashkisë së Klosit, Valbona Kola. Më ka pyetur nëse do e fal” përfundon Qazimi.

Pas denoncimit, grupi i Fiks Fare shkoi në Njësinë Administrative Gurrë e Madhe në Klos për të pyetur Administratorin. Kërkuan z. Çlirim Disha, por çuditërisht asnjë prej punonjësve të kësaj njësie nuk dëshironte të jepte informacion se ku ishte apo edhe numrin e telefonit. Grupi i Fiksit e priti administratorin disa orë dhe i gjejnë një numër telefoni. E marrin në telefon dhe ai i thotë se vonohet pak dhe se është në lagjen “Duka”, shumë afër njësisë. Gazetarët i thonë se do e presim ende. Pas shumë minutash, Çlirimi telefonon sërish dhe kësaj herë thotë se është në një mal që është 4 orë larg Klosit, ndryshe nga hera e parë që ishte në një lagje tjetër.

Pas “frikës” së përballjes, Fiksi e pyet për ngjarjen e datës 27 maj 2024, teksa i thotë se përse e goditi. Administratori pohon se do e tregojë kur t’i takojë fizikisht një herë tjetër. E pyesin disa herë për ngjarjen dhe në një moment qesh, ndërkohë që pohon se ka dhënë deklarime për këtë ngjarje. E pyesin nëse është arrestuar, pezulluar apo shkarkuar nga detyra. Përgjigjet se jo dhe se vazhdon punën. E pyesin se konflikti është për shkak të naftës, nuk kthen përgjigje. Në fund mbyll telefonin.

Fiksi interesohet edhe në Policinë e Klosit, teksa dera ishte e mbyllur. Nëpërmjet telefonit të një punonjësi, gazetarët bisedojnë me z. Lorenc Alia, përgjegjës i Postës Policore në Klos. Fiksi e pyet se përse u la i lirë dhe përse nuk u arrestua në flagrancë, deri sa të dilte raporti mjeko-ligjor, pasi i plagosuri është transportuar në atë kohë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Përgjegjësi thotë se ashtu u vendos nga grupi hetimor, teksa pohon se këtë çështje po e heton prokuroria e Dibrës dhe se autori po hetohet në gjendje të lirë për plagosje të lehtë. E pyesin se ku e dinte policia më 27 maj që goditjet ishin të lehtë, pasi Qazim i shkoi në spital i gjakosur. Ai nuk jep përgjigje, ndërsa shton se Disha është shoqëruar dhe është lënë i lirë disa orë më pas. Fiksi e pyet se kush është motivi i plagosjes dhe përgjegjësi pohon se “një sherr në lokal përse më pe”.

Grupi i Fiks Fare interesohet edhe në Bashkinë e Klosit dhe kërkojnë të takojnë kryetaren e Bashkisë, znj. Valbona Kola. Nëpërmjet telefonit, kryetarja thotë se informacionin duhet ta merrnin me shkrim dhe duhet të bënin një kërkesë për informacion.  Gazetarët e pyesin bashkinë nëse Çlirim Disha vijon detyrën, a ka ndonjë masë dhe nëse jo, përse? Madje e pyesin znj. Valbona Kola se me çfarë tagri ka qenë në banesën e z. Qazim Hoxha, si kryetare apo si pajtuese? Por, deri në transmetimin e kësaj kronike, Bashkia e Klosit nuk ktheu përgjigje.

Bisedë me punonjësit e Policisë së Klosit

Gazetari – Deshëm të rendit ose përgjegjësin e Postës (Policore Klos).

Punonjësi i policisë – Përgjegjësi i Postës është në mal për kontroll territori.

Gazetari – Kush është këtu përgjegjës?

Punonjësi i policisë – Është Lorenc Alia.

Punonjësi i policisë – (Flet në telefon me përgjegjësin) Kanë ardhur këta të Top Channel këtu te Posta të kërkojnë. Po nuk e di, për çfarë e kërkoni ju?

Gazetari – Po për një ngjarje thuaji.

Punonjësi i policisë – Për një ngjarje thotë. Në 27 maj thotë/

Punonjësi i policisë – 2024, Qazim Hoxha.

Gazetari – I dëmtuari, i plagosuri.

Lorenc Alia – Po e nis Prokuroria Dibër çështjen. Janë referuar materialet atë ditë atje për plagosje të lehtë dhe po e ndjek çështjen prokuroria me Oficerët e Policisë Gjyqësore. Patjetër, atë ditë është marrë ankimi i Qazimit është pyetur ai personi i dyshuar dhe janë referuar materialet në prokurori dhe janë materialet atje.

Gazetari – Po personi në fjalë është ndaluar?

Lorenc Alia – Jo atë ditë ka qenë, është kështu në gjendje të lirë se s’mund të ndalohet pa dalë akti i ekspertimit.

Gazetari – Ndërkohë, personi ka ardhur i gjakosur në Klos, ka shkuar i gjakosur po në Burrel dhe më pas është transportuar në Tiranë, ka qëndruar disa ditë.

Lorenc Alia – Po patjetër. Nga ana jonë është bërë vendimi mjeko-ligjor dhe i është dërguar Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë.

Gazetari – Nuk u arrestua personi në flagrancë menjëherë pas ngjarjes?

Lorenc Alia – Tani ajo pa dalë akti i ekspertimit nuk mund, është konsultuar edhe me prokurorin, pa dalë akti i ekspertimit. Se nuk i dihet akti i ekspertimit për plagosje të lehtë s’mund të arrestohet tjetri.

Gazetari – Ndoshta është për shkak të detyrës, ai (autori) është Administrator i Njësisë Gurrë e Madhe, autori.

Lorenc Alia – Po. Jo është qytetar.

Gazetari – Po qytetar, nëpunës shteti. Ka bërë një plagosje.

Lorenc Alia – Prandaj janë veprimet e para hetimore. Ai na ka thënë vetëm “qemë aty, pse më sheh mu, jo pse të shikoj unë ty. Jo du, jo s’du”. Kaq. Kaq kanë qenë ato që kanë pasur konflikt.

Gazetari – Dhe më pas e ka goditur me levë?

Lorenc Alia – E nxjerr hetimi më mbrapa se për çfarë arsye, prandaj është te prokuroria.

Gazetari – Dhe më pas e ka goditur me levë, e ka goditur me sende të forta? Fraktura?

Lorenc Alia – Me levë dhe sende të forta, të gjitha frakturat i nxjerr akti i ekspertimit mjeko-ligjor. për frakturat që janë

Gazetari – Ishte pushim 30 ditor …

Lorenc Alia – Ai kishte një goditje në pjesën e hundës, e kam parë unë.

Gazetari – Ne na intereson dita e parë, orët e para. Se personi as nuk është shoqëruar në orët e para. Pas ngjarjes.

Lorenc Alia – Është shoqëruar pa tjetër.

Gazetari – Kur është shoqëruar, në çfarë ore? Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00.

Lorenc Alia – Biles atë ditë ka qenë një furtunë, e di unë shumë mirë kur ka ardhur ai personi që është shoqëruar në komisariat. Ka qenë një ditë me furtunë. Se na janë fik edhe dritat atë ditë, e mbaj mend shumë mirë.

Gazetari – Dhe është shoqëruar që atë ditë dhe është lënë i lirë pastaj?

Lorenc Alia – Është lënë i lirë, është konsultuar me prokurorin dhe pas nxjerrjes së aktit, që do të dalë akti i ekspertimit të merren masën. Prokurori e dërgon në gjykatë dhe …

Gazetari – Ndërkohë, që atë ditë personi (i plagosuri) është transportuar në Tiranë te Spitali i Traumës.

Gazetari – Për dëmtime të rënda.

Lorenc Alia – Jo dëmtimet e rënda ne nuk i përcaktojmë dot.

Gazetari – Por, pa përcaktuar personi (autori) lirohet?!

Lorenc Alia – Jo, po … Ne nuk mund ti përcaktojmë dot dëmtimet.

Gazetari – Ju fillimisht s’keni pasur një ekspertim apo jo?

Lorenc Alia – Jo, jo, jo s’kemi pasur.

Gazetari – Jo dhe më pas e keni liruar personin e keni hetuar në gjendje të lirë.

Lorenc Alia – Është proceduar në gjendje të lirë, po.

Gazetari – Pa pasur një ekspertim fillestar!

Lorenc Alia – Jo, po … Po pra, pa pasur një ekspertim fillestar për dëmtimet që është shkaktuar. Po.

Gazetari – Po ju nuk e dinit nëse ishin të lehta apo të rënda?!

Gazetari – Përgjegjës, edhe njëherë! Ju nuk e dinit që ishin të lehta apo të rënda në orët e para?

Lorenc Alia – Jo nuk e dinim ne këtë!

Lorenc Alia – Tani …

Gazetari – Ju nuk ishit në dijeni që ishin të lehta apo të rënda?

Lorenc Alia – Jo absolutisht nuk e d… Ëëë, ëëë plagosje e rëndë është humbje e gjymtyrëve, dhe këto mbas interpretimit të Kodit.

Gazetari – Po, plagosje e rëndë është nëse i rrezikohet jeta, nëse gjymtohet. Ai kishte goditje në sy, nëse mund të humbte syrin. Deformime në …

Lorenc Alia – Ju lutem shumë, prandaj prokuroria … Se jam në një shërbim, do vijë akti i ekspertimit dhe do të merren masa.

Gazetari – E di për çfarë më duhet, në fillim fare.

Lorenc Alia – Po shkoni te prokuroria se keni dosjen atje.

Gazetari – Këtë dua, ju pyetët prokurorinë që e liruat apo e liroi policia? Dhe orën kur e keni shoqëruar.

Lorenc Alia – Ne e pyetëm prokurorinë jemi para këtij fakti. E ka goditur në pjesën e hundës e ka frakturë. OK-ej nise për plagosje të lehtë dhe pastaj do presim aktin e ekspertimit mjeko-ligjor.

Gazetari – Dhe deri më sot nuk ka dalë një raport i tillë?

Lorenc Alia – Nuk e di, nuk e di!

Gazetari – S’ke informacion?

Lorenc Alia – Në momentin që do ti shkojë ajo prokurorisë, prokuroria nxjerr ato.

Gazetari – Ngjarja ka ndodhur në orën 17:00. Personi kur është shoqëruar?

Lorenc Alia – Për Zotin tani, ai ka ardhur. Kur erdhi atje në Burrel 5 e gjysëm. Ku di unë, nga ora 6, 6 e gjysëm.

Gazetari – Dhe është mbajtur 1 – 2 orë?

Lorenc Alia – Kur janë mbaruar veprimet proceduriale, kanë mbaruar veprimet proceduriale.

Gazetari – Dhe më pas është lënë i lirë dhe vazhdon detyrën?/ Fiks Fare - Top Channel

Gazetari – Vazhdon edhe sot e kësaj dite detyrën?

Lorenc Alia – Detyrën po, në dijeninë time po!

Top Channel

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese