Hapësire reklamuese

Aktualitet

Abortet dhe nënat surrogato/ Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë: Të marrin pjesë në dëgjesat publike, ose projektligji të mos kalojë në Kuvend

Shkruar nga Newsbomb

Abortet dhe nënat surrogato/ Këshilli Ndërfetar i

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka shprehur shqetësim për projektligjin “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, që ka të bëjë me abortet dhe nënat surrogato.

Ata i janë drejtuar me një letër kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës, kryeministrit Edi Rama, ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiut, avokatit të Popullit, Erinda Ballanca dhe presidentit Bajram Begaj.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, si grup interesi, kërkon të ndërpritet shqyrtimi i projektligjit në fjalë pa pjesëmarrjen e tij në seancat konsultative në Ministrinë e Shëndetësisë,  t’i njihet e drejta të paraqesë vëzhgimet, prapësimet dhe kundërshtitë lidhur me projektligjin. Gjithashtu të behet pjesë e pjesë e dëgjesave publike të këtij projektligji.

Në rast të kundërt, Këshilli Ndërfetar kërkon që projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” të mos kalojë në Kuvendin e Shqipërisë.

Letra e plotë:

Bazuar në të drejtat e tij statutore, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, pasi u njoh nëpërmjet medias me projektligjin “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, në datën 29 prill 2024 mblodhi Bordin e Presidencës, së bashku me një grup pune të miratuar nga pesë komunitetet fetare, të përbërë nga specialistë: juristë, sociologë, teologë dhe mjekë. Gjatë këtij takimi, Këshilli Ndërfetar ngriti shqetësimin për mungesën e përfshirjes së komuniteteve fetare në dëgjesën publike të këtij ligji, si palë e interesit dhe për mungesën e një relacioni, që duhet ta shoqërojë këtë projektligj në faqen zyrtare. Grupi i punës ka paraqitur para Bordit të Presidencës argumentet profesionale në lidhje me projektligjin në fjalë dhe efektet negative që ai mund të ketë për shëndetin e individit, familjes dhe shoqërisë.

Pas një pune intensive disaditore të specialistëve të fushës, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, bazuar në statutin e tij, të miratuar në vitin 2007, i drejtohet me një letër të hapur institucioneve më të larta shtetërore:

Kuvendit të Republikës së Shqipërisë – Kryetares, znj. Lindita Nikolla dhe Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë; Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama; Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministres znj. Albana Koçiu; Avokatit të Popullit, znj. Erinda Ballanca dhe për dijeni Presidentit të Republikës, SH.T.z. Bajram Begaj.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, si grup interesi, kërkon të ndërpritet shqyrtimi i projektligjit në fjalë pa pjesëmarrjen e tij në seancat konsultative në Ministrinë e Shëndetësisë; t’i njihet e drejta të paraqesë vëzhgimet, prapësimet dhe kundërshtitë lidhur me projektligjin; si dhe të bëhet pjesë e dëgjesave publike të këtij projektligji. Në rast të kundërt, Këshilli Ndërfetar kërkon që projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” të mos kalojë në Kuvendin e Shqipërisë.

Me dëshirën që kërkesat tona, të cilat përfaqësojnë vullnetin dhe qëndrimet e të gjithë besimtarëve tanë, pjesë e pesë komuniteteve fetare zyrtare dhe shoqërisë shqiptare, të marrin vëmendjen e duhur nga ana e institucioneve ligjzbatuese dhe të gjithë së bashku, të punojmë për një të ardhme më të mirë e më të sigurt për brezat e rinj, me besim te Zoti e te ligji për të mirën e përbashkët.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë qytetarët e saj!

Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë:

Haxhi Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos, Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Imzot Gjergj Meta, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë

Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Kryegjyshatës Bektashiane

Pastor Ergest Biti, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë

Abortet dhe nënat surrogato/ Këshilli Ndërfetar iAbortet dhe nënat surrogato/ Këshilli Ndërfetar i

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese