Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

55 magjistratë do t’i bashkohen gjyqësorit, Sokol Sadushi i uron: Ky është një moment solemn për ju, zëri juaj përçon shpresë e besim

Shkruar nga Newsbomb
55 magjistratë do t’i bashkohen gjyqësorit, Sokol Sadushi i
Kreu i Gjykates se Larte, Sokol Sadushi

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka marrë pjesë këtë të enjte në ceremoninë e zhvilluar për 55 magjistratët e rinj të diplomuar, nga të cilët 32 gjyqtarë dhe 23 prokurorë, të cilët së shpejti do t’i bashkohen komunitetit të magjistratëve.

Gjatë fjalës së tij Sadushi vlerësoi përkushtimin e tyre, teksa theksoi se ky moment është tepër i veçantë dhe i rëndësishëm për secilin prej tyre.

“Ky është një moment solemn dhe i veçantë për Ju dhe për këtë duhet të ndjeheni krenar. Padyshim që krenar për Ju ndjehen familjet tuaja, por edhe Ne, pedagogët e Shkollës së Magjistraturës që kemi bërë detyrën duke ju mbështetur dhe inkurajuar”, tha Sadushi, teksa më tej ai iu drejtua magjistratëve të rinj duke i dhënë disa këshilla.

Kreu i Gjykatës së Lartë u tha atyre se kanë përgjegjësinë për të bërë që sistemi i drejtësisë të ndryshojë dhe të bëhet i besueshëm. Ai theksoi se drejtësia kërkon një zë të fortë dhe të dëgjueshëm, që përçon siguri dhe integritet.

55 magjistratë do t’i bashkohen gjyqësorit, Sokol Sadushi i
Pamje nga ceremonia

Sadushi tha se nëse do të përballen me çështje të cilat janë të rëndësishme për ta apo dhe komunitetin ku bëjnë pjesë, atëhere i këshilloi që të mos qëndrojnë pasiv, por të reagojnë pasi indiferenca sipas tij është sjella më e dëmshme që një profesionist i së drejtës mund të reflektojë.

“Ju keni përgjegjësinë për të bërë që sistemi i drejtësisë të ndryshojë dhe të bëhet i besueshëm. Ju e filloni betejën për bërjen e drejtësisë me modelin që do të prezantoni. Ju duhet të dini se një magjistrati i duhet integritet, kurajë, durim dhe maturi për të vepruar në emër të së drejtës. Duhet të jeni të vetëdijshëm për pushtetin që ju jepet, për dinjitetin e funksionit, por edhe për kufizimet që ju imponohen. Funksioni që do të ushtroni ka pushtet dhe fuqi të madhe. Prandaj nuk duhet ta keqpërdorni. Drejtësia ka nevojë për mjaft gjëra, por sidomos për një zë të fortë dhe të dëgjueshëm. Magjistrati duhet ta gjejë zërin në sallën e gjykimit, aty ku ai, pavarësisht ndrojtjes, hezitimit, pasigurisë, rezervave që ka, duhet që të flasë dhe zëri i tij që përçon drejtësinë të jehojë, jo duke bërë zhurmë, por duke përçuar siguri dhe integritet.

 Zëri i drejtësisë duhet të dëgjohet nga viktima që ka humbur dinjitetin, nga autori i veprës që ka humbur arsyen, nga pala që ka humbur shpresën dhe besimin te drejtësia, nga i dobëti dhe i pambrojturi që është i frikësuar nga padrejtësia. Zëri juaj është zëri që përçon shpresë dhe besim. Nëse përballeni me çështje që janë të rëndësishme për ju ose komunitetin ku bëni pjesë, mos qëndroni pasiv dhe indiferent, por bëni diçka. Indiferenca është sjellja më e dëmshme që një profesionist i së drejtës mund të reflektojë. Synoni dhe përpiquni të merrni rol, aty ku është e mundur dhe e nevojshme.

Angazhimi juaj profesional nuk është vetëm seanca gjyqësore, por edhe vendimmarrje të tjera, jashtë sallës së gjykimit, të lidhura indirekt me të. Sa herë të hyni në sallën e gjykimit hyni me ndjenjën e thellë se ndërsa gjykoni, prisni edhe të gjykoheni. Pavarësia iu jepet për t’iu garantuar detyrën, por nuk ju bën të pakontrollueshëm. Vetëm në këtë mënyrë do të forconi besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Merrni me seriozitet dhe ndjeshmëri çdo problem dhe vështirësi me të cilat përballen qytetarët, kolegët tuaj dhe gjykatat e prokuroritë, ku ato punojnë. Bëjeni këtë që ditën e parë të detyrës suaj e deri në ditën e fundit. Ky do të jetë shpërblimi më i mirë që do t’i bëni sistemit të drejtësisë dhe justifikimi më i mirë dhe kuptimplotë që do t’i bëni diplomës që do të merrni sot! Mos harroni: askush më mirë se magjistratët nuk i di problemet e sistemit të drejtësisë, askush më mirë se magjistratët nuk e kupton dhe ndjen peshën e padrejtësisë, cenimin e pavarësisë dhe presionin për shkak të saj. Prandaj përpiquni sa të mundeni ta bëni sistemin e drejtësisë të besueshëm, profesional dhe me integritet. Nëse e bëni këtë, në fund të karrierës suaj do të mund të thoni me krenari se kontribuat sa mundët dhe latë gjurmë në rrugën e vështirë të konsolidimit të shtetit të së drejtës. Nëse e bëni këtë, keni realizuar dhe detyrën tuaj si qytetarë evropianë të këtij vendi! Ju uroj suksese të nderuar magjistratë në këtë detyrë të vështirë dhe fisnike!”, tha Sadushi ndër të tjera.

Pjesë nga fjala e Kreut të Gjykatës së Lartë:

Dita e sotme na ka bërë bashkë të gjithëve për të nderuar dhe vlerësuar kontributin, përkushtimin, sakrificat dhe arritjet e 55 magjistratëve të rinjë që diplomohen, 32 prej tyre si gjyqtarë dhe 23 si prokuror, të cilët do t’i bashkohen së shpejti komunitetit të magjistratëve.

Ky është një moment solemn dhe i veçantë për Ju dhe për këtë duhet të ndjeheni krenar. Padyshim që krenar për Ju ndjehen familjet tuaja, por edhe Ne, pedagogët e Shkollës së Magjistraturës që kemi bërë detyrën duke ju mbështetur dhe inkurajuar. Siç është zakon, në ditën e përmbylljes së studimeve dhe nisjes së ushtrimit të detyrës jepen disa këshilla nga ata që kanë një përvojë të gjatë dhe prej së cilës kanë arritur të nxjerrin mësime të vlefshme, pozitive apo negative.

Më lejoni edhe mua që kam pasur fatin gjatë karrierës si jurist, të kem qenë prokuror, avokat, pedagog dhe gjyqtar, që të mos heq dorë nga ky zakon i dhënies së disa porosive. Pavarësisht dallimeve që ka secili prej këtyre funksioneve, të gjitha lidhen mes tyre me disa të përbashkëta: Lidhen me drejtësinë, kur merret ose jepet, lidhen me padrejtësinë, kur ushtrohet ose përjetohet, ashtu si lidhen me ndjeshmërinë dhe humanizmin, kur mungon ose shfaqet.

Prandaj, sot kam disa këshilla në formë lutje për të gjithë Ju të nderuar magjistratë: Ju keni përgjegjësinë për të bërë që sistemi i drejtësisë të ndryshojë dhe të bëhet i besueshëm. Ju e filloni betejën për bërjen e drejtësisë me modelin që do të prezantoni. Ju duhet të dini se një magjistrati i duhet integritet, kurajë, durim dhe maturi për të vepruar në emër të së drejtës. Duhet të jeni të vetëdijshëm për pushtetin që ju jepet, për dinjitetin e funksionit, por edhe për kufizimet që ju imponohen. Funksioni që do të ushtroni ka pushtet dhe fuqi të madhe. Prandaj nuk duhet ta keqpërdorni. Drejtësia ka nevojë për mjaft gjëra, por sidomos për një zë të fortë dhe të dëgjueshëm. Magjistrati duhet ta gjejë zërin në sallën e gjykimit, aty ku ai, pavarësisht ndrojtjes, hezitimit, pasigurisë, rezervave që ka, duhet që të flasë dhe zëri i tij që përçon drejtësinë të jehojë, jo duke bërë zhurmë, por duke përçuar siguri dhe integritet.

Zëri i drejtësisë duhet të dëgjohet nga viktima që ka humbur dinjitetin, nga autori i veprës që ka humbur arsyen, nga pala që ka humbur shpresën dhe besimin te drejtësia, nga i dobëti dhe i pambrojturi që është i frikësuar nga padrejtësia. Zëri juaj është zëri që përçon shpresë dhe besim. Nëse përballeni me çështje që janë të rëndësishme për ju ose komunitetin ku bëni pjesë, mos qëndroni pasiv dhe indiferent, por bëni diçka. Indiferenca është sjellja më e dëmshme që një profesionist i së drejtës mund të reflektojë. Synoni dhe përpiquni të merrni rol, aty ku është e mundur dhe e nevojshme. Angazhimi juaj profesional nuk është vetëm seanca gjyqësore, por edhe vendimmarrje të tjera, jashtë sallës së gjykimit, të lidhura indirekt me të. Sa herë të hyni në sallën e gjykimit hyni me ndjenjën e thellë se ndërsa gjykoni, prisni edhe të gjykoheni. Pavarësia iu jepet për t’iu garantuar detyrën, por nuk ju bën të pakontrollueshëm. Vetëm në këtë mënyrë do të forconi besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Merrni me seriozitet dhe ndjeshmëri çdo problem dhe vështirësi me të cilat përballen qytetarët, kolegët tuaj dhe gjykatat e prokuroritë, ku ato punojnë. Bëjeni këtë që ditën e parë të detyrës suaj e deri në ditën e fundit.

Ky do të jetë shpërblimi më i mirë që do t’i bëni sistemit të drejtësisë dhe justifikimi më i mirë dhe kuptimplotë që do t’i bëni diplomës që do të merrni sot! Mos harroni: askush më mirë se magjistratët nuk i di problemet e sistemit të drejtësisë, askush më mirë se magjistratët nuk e kupton dhe ndjen peshën e padrejtësisë, cenimin e pavarësisë dhe presionin për shkak të saj. Prandaj përpiquni sa të mundeni ta bëni sistemin e drejtësisë të besueshëm, profesional dhe me integritet. Nëse e bëni këtë, në fund të karrierës suaj do të mund të thoni me krenari se kontribuat sa mundët dhe latë gjurmë në rrugën e vështirë të konsolidimit të shtetit të së drejtës. Nëse e bëni këtë, keni realizuar dhe detyrën tuaj si qytetarë evropianë të këtij vendi! Ju uroj suksese të nderuar magjistratë në këtë detyrë të vështirë dhe fisnike!

 

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese