Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka dhënë masën arrest me burg për Leonard Luzi alias Leonard Sejno, i akuzuar për porositjen e dy vrasjeve me pagesë në qytetin bregdetar të Vlorës. Luzi u ekstradua dje nga Spanja në Shqipëri.
Luzi i njohur me nofkat "Nard Çami" dhe "Daku" akuzohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Për shkak të konflikteve me eksponentë të tjetër të krimit në Vlorë, ai porositi vrasjen e tyre për 500 milionë lekë. 47 vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal, kishte organizuar vrasjen e shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla.
Këto vrasje do të kryheshin nga shtetasi Amarildo Nikolli, tashmë me statusin e penduar i drejtësisë pasi ka pranuar të tregojë në SPAK për porosinë që kishte marrë, si dhe ngjarjet e tjera kriminale për të cilat mund të kishte dijeni ose kishte marrë pjesë.
Nikolli u ndalua verën e dy viteve më parë në qytetin bregdetar, teksa shkonte për të kryer vrasjen, falë një operacioni të mirëorganizuar nga Blutë e Vlorës, të cilët e kapën në flagrancë me armët në çantë dhe mjetet e tjera që i duheshin për kryerjen e krimit.
Ervis Matodashaj njihet në Vlorë me nofkën "Qorri", kurse Inez Hajrulla me nofkën "Sakati". Ai ka mbetur i paralizuar për shkak të një atentati të rëndë që ju bë disa vite më parë në Lungomare, ku fatkeqësisht humbi të dyja këmbët.