Pesë persona kanë rënë në prangat e Policisë së Elbasanit, pasi akuzohen për kultivim dhe shitje droge. Gjatë dy operacioneve të ndryshme në fshatin në fshatin Vashaj të Peqinit, janë arrestuar dy baballarët me djemtë e tyre dhe një nip.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan në kuadër të një procedimi penal të ndjekur me metoda proaktive dhe bazuar në informacionet e grumbulluara si rezultat i hetimit, finalizuan me sukses operacionin policor antidrogë të koduar "Vashaj".
Në kuadër të tij, në fshatin Vashaj u goditën 2 raste të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, raste për të cilat u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit:
- S. B., 62 vjeç dhe R. B., 23 vjeç (babë e bir), pasi gjatë kontrollit në banesën e këtyre shtetasve dhe përreth saj janë gjetur 150 bimë narkotike shumica të kultivuara në tokë dhe një pjesë e bimëve në proces tharjeje, një sasi kanabisi gati për shitje, 2.600.000 lekë të rinj, 3890 euro dhe 6770 paund, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale dhe 1 thikë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale;
- K. Sh., 58 vjeç, M. Sh., 34 vjeç dhe E. Sh.,19 vjeç (babë e bir dhe nipi), pasi në ambientet rreth banesës së shtetasit K. Sh., janë gjetur disa bimë kanabis në proces tharjeje, si dhe një sasi kanabis gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Operacionet u kryen në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", të Forcës Operacionale të DVP Elbasan, dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Tiranë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotikëve", "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe " Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta.