Me nderimet më të larta, kështu e ka përmbyllur eksperiencën 45-vjeçare nënkomisari, Ernest Marku.
Pas vitesh punë i veshur me uniformën e Policisë së Shtetit, Marku ka dalë në pension ku dhe është nderuar nga kolegët e tij me certefikatën e karrierës.
Ka qenë Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Edmond Sulaj, i cili i dorëzoi Markut, certefikatën e karrierës, akorduar nga Drejtori i Përgjithëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Gjatë fjalës së tij, Sulaj duke i uruar pension të mbarë Markut e falënderoi që përgjatë gjithë këtyre viteve i ka qëndruar besnik punës së tij dhe asnjëherë nuk ka hequr dorë nga ky mision kaq fisnik.
“Të rrugëtosh për 45 vjet në rrugën e mbushur plot sifida, sakrifica e rreziqe, dhe të arrish në fund duke e mbyllur këtë rrugëtim të vlerësuar me certifikatën e karrierës, besoj se nuk ka pasaportë krenarie më të mirë për ju, familjen tuaj dhe për ne familjen e madhe të Policisë së Shtetit”, tha Sulaj ndër të tjera.
Nënkomisar Ernest Marku ka falënderuar Drejtorin e DVP Shkodër dhe nëpërmjet tij Drejtorin e Pergjithshëm të Policisë së Shtetit, për vlerësimin me certifikatë, si dhe kolegët e tij, me të cilët për 45 vjet ka punuar me përkushtim, ndershmëri dhe sakrificë, për garantimin e rendit dhe sigurisë dhe për t’iu shërbyer qytetarëve.