
Klodian Kala humbi jetën tragjikisht pasditen e së dielës. 30-vjeçari teksa ishte duke peshkuar ra në kontakt me rrymën elektrike dhe fatkeqësisht gjeti vdekjen e menjëhershme. Lidhur me këtë ngjarje Policia e Bulqizës njofton se ka nisur procedimi penal ndaj dy personave.
Sipas bluve mësohet se janë proceduar penalisht shtetasit A.K., 45 vjeç, dhe E.J., 33 vjeç, banues në Bulqizë, për veprën penale "Peshkimi i ndaluar". Këta shtetas kanë qenë duke peshkuar dhe si pasojë e energjisë elektrike të prodhuar nga gjeneratori humbi jetën 30-vjeçari.
“Po nga ky Komisariat, janë kryer veprimet e para hetimore menjëherë pas ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme në lumin e fshatit Sofraçan, ku gjatë peshkimit me gjenerator humbi jetën shtetasi K.K., ju bëjmë me dije se, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit A.K., 45 vjeç, dhe E.J., 33 vjeç, banues në Bulqizë, për veprën penale "Peshkimi i ndaluar". Këta shtetas kanë qenë duke peshkuar dhe si pasojë e energjisë elektrike të prodhuar nga gjeneratori, ka humbur jetën shtetasi K.K”, thuhet në njoftimin e Policisë.