Në një ceremoni të mbajtur në Ministrinë e Brendshme, janë certifikuar punonjës të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilët u trajnuan për 3 javë nga ekspertë të misionit ICITAP. Në të morën pjesë Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, E Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, drejtues e punonjës të AMP-së dhe ICITAP. Trajnimi mbi hetimin e krimeve është kryer sipas një moduli të standardizuar, miratuar edhe nga Prokurori i Përgjithshëm.
“Certifikimi i oficerëve, që do të ndiqet nga grupe të tjera, është një vlerë e shtuar për strukturat tona, në funksion të mbikëqyrjes policore. Synimi ynë është të krijojmë një trupë profesioniste, me integritet të lartë, në përputhje me pritsh mëritë e publikut”, u shpreh ministri i Brendshëm.
Ai falënderoi ambasadën e SHBA-së në Tiranë, e posaçërisht përfaqësuesit e programit ICITAP në Shqipëri, për angazhimin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer në funksion të rritjes së kapaciteteve profesionale të strukturave të zbatimit të ligjit në varësi të Ministrisë së Brendshme, jo vetëm strukturave të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, por edhe atyre të Policisë së Shtetit.
“Pritshmëritë që publiku shqiptar ka për reformën në drejtësi dhe për punën tuaj dhe kolegëve tuaj janë shumë të larta. Dhe kjo ndodh për shkak se ju dhe kolegët tuaj tashmë keni prodhuar rezultate për ta. Dhe sot, ata që po diplomohen, janë gati për ta rritur këtë ndikim. Sa herë takohem me zyrtarë të qeverisë, një nga gjërat që theksoj vazhdimisht është se reforma në drejtësi është e pakthyeshme. Dhe unë e them këtë, sepse Shtetet e Bashkuara e besojnë atë dhe besojnë te ju”, deklaroi E Ngarkuara me Punë, VanHorn.
“Këtë javë, ne miratuam në parim në Komisionin parlamentar për Sigurinë Kombëtare, projektbuxhetin për Ministrinë e Brendshme. Pa e fshehur krenarinë, dua të them se buxheti është më i madhi në këto 3 dekada, me fokus mbështetjen e investimeve. Për AMP-në, vitin e ardhshëm është garantuar mbështetja për forcimin dhe rritjen e efikasitetit me shtesë prej 3,4% në raport me planin e buxhetit të vitit 2024”, theksoi Hoxha.