
Vogëlushi Amar Gjuni që rezultonte prej 10 ditësh i zhdukur është në gjendje të mirë shëndetësore dhe mesditën e sotme është bashkuar me nënën e tij. 3 vjeçari ju mor Ile Gjunit nga vjehrri dhe vjehrra dhe u mbajt i fshehur deri sot.
Policia e Durrësit bën me dije se si rezultat i presionit policor, kërkimeve të shumta dhe negociatave, gjysha Bahrie Gjuni është vetëdorëzuar këtë të shtunë në ambientet e komisariatit, së bashku me nipin e saj 3-vjeçar.
Menjëherë, uniformat blu kanë njoftuar nënën e vogëlushit, e cila mes lotëve ka nxituar të shkojë në ambientet e Policisë së Durrësit për të takuar Amarin. Në të njëjtat ambiente ku 10 ditë më parë shkoi të bënte kallëzim për vjehrrit.

Autoritetet bëjnë me dije se djali është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për gjetjen e tij janë kryer një tërësi veprimesh hetimore dhe kontrolle të shumta në Durrës, Has, Kukës dhe Tiranë.
Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Gjysha Bahrie Ghuni është ndaluar dhe po merret në pyetje. Në qeli qëndron aktualisht gjyshi Rexhep Gjuni dhe kunati i tij, vëllai i Bahries, pasi dyshohet se i ka ndihmuar dy të moshuarit të marrin nipin dhe të fshihen.
Rasti është përshëndetur dhe nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili ka ndarë momentin prekës kur vogëlushi takohet me nënën e tij, Ile Gjuni.
"Amari i vogël 3 vjeçar sapo mbërriti në krahët e nënës së tij. Ndërsa i takon drejtësisë të vendosë, edhe dashuria e gjyshërve nuk do të mungojë për Amar. Kjo është një nga ato situata për të cilat, nuk gjenden dot fjalët. Përgëzime Drejtorisë së Policisë së Durrësit", shkruan ministri.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës - Njoftim për media
Komisariati i Policisë Durrës ka vijuar punën kërkimore dhe hetimore, për gjetjen e 3-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, për të cilën deri tani janë arrestuar shtetasit R. Gj. (gjyshi) dhe A. S. (vëllai i gjyshes), të dyshuar si bashkëpuntorë për rrëmbimin e 3-vjeçarit.
Në këtë kuadër janë kryer një tërësi veprimesh hetimore dhe kontrolle të shumta në Durrës, Has, Kukës dhe Tiranë.
Si rezultat i presionit policor, kërkimeve të shumta dhe negociatave, sot është vetëdorëzuar shtetasja B. Gj., së bashku me nipin e saj 3-vjeçar, të cilin e mori nëna e tij, në gjendje të mirë shëndetësore.
Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.