
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shpallur këtë të mërkurën, datë 5 qershor vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Tiranës, Fatime Deçolli. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Etleda Çiftjan.
Gjatë seancës dëgjimore të hënën më 3 qershor, Deçolli dha shpjegime për pasurinë dhe profesionalizmin.
Fatime Deçolli në fjalën e saj të hënën, falënderoi KPK-në për hetimin e thellë dhe të gjithanshëm dhe ra dakord me konkluzionet, ndërsa kërkoi të merreshin parasysh shpjegimet e dhëna sa i përket bilanceve negative, raporton Birn.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
Ajo e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në fillim të viteve '90 dhe ka punuar si gjyqtare dhe kryetare gjykate në Berat. Prej vitit 2010, Fatime Deçolli e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Tiranë.
Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, gjyqtarja Fatime Deçolli deklaronte pasuri familjare me vlerë 8.5 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2019, pasuria e saj familjare kap vlerën e 27.2 milionë lekëve.
Ajo zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 22.3 milionë lekë, likujditete bankare me vlerë 3.8 milionë lekë si dhe automjet me vlerë 900 mijë lekë. Gjithashtu, bashkëshorti i subjektit zotëron kuota me vlerë 36 mijë lekë në një fond pensioni.
Të ardhurat familjare gjatë periudhës deklaruese janë 40.3 milionë lekë, nga të cilat rreth 51% kanë si burim pagën e subjektit, 35% pagat e familjarëve, 7.2% dhuratat nga familjarët dhe 1.6% të ardhurat nga qiratë.