
Çifti i të moshuarve Kosta Ilia 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia 88 vjeçe u gjetën të vdekur mëngjesin e datës 2 Maj në oborrin e shtëpisë së tyre, në fshatin Bodrishtë të Dropullit. Ngjarja e rëndë dhe misteri me të cilin ajo është veshur, ka tronditur fshatin e vendosur në rrëzë të malit.
Disa banorë të fshatit dhe një bari i zonës janë shoqëruar nga Policia, por deri tani nuk ka dalë asnjë detaj i ri. Kanë kaluar më shumë se 24 orë kur fqinjët i gjetën Kosta dhe Kleoniqi Ilian të masakruar me sende të forta dhe njoftuan autoritetet. Ditën e sotme, numri i personave të dyshuar ka shkuar në dhjetë.
Pista e parë, që dyshon grupi hetimor është se mund të ketë ndodhur një grabitje dhe dy të moshuarit janë dhunuar nga grabitësi/t, por ajo që e rrëzon këtë pretendim është se nuk janë gjetur as dyer dhe dritare të hapura, si dhe asnjë objekt i dëmtuar.
Gjithashtu, në portofolin e të moshuarit Kosta Ilia janë gjetur 256 euro dhe në atë të Kleoniqi Ilia janë gjetur 65 euro. Pra, nëse autori do të kishte pasur synim grabitjen, do të kishte marrë dhe shumën e konsiderueshme të parave.
Pista e dytë, është se dyshohet se mund të ketë pasur një konflikt mes çiftit, pasi sipas komshinjve dy të moshuarit kohët e fundit kanë pasur grindje të vazhdueshme, megjithatë jo deri në konfrontime fizike. Fqinjët janë shprehur se të moshuarit nuk kishin fëmijë, por ishin të lumtur.
Kjo pistë është pak e besueshme për shkak se trupat e dy të moshuarve janë gjetur larg njëri-tjetrit.
Pista e tretë, lidhet pikërisht me një nga thëniet e banorëve të fshatit Bodrishtë. Kosta dhe Kleoniqi Ilia nuk kishin bërë fëmijë dhe rrjedhimisht nuk kishin trashëgimtarë, por ata zotëronin sipërfaqe të mëdha toke, për të cilat mund të ketë pasur persona të tjerë të interesuar.
Pista e katërt, përforcon dyshimet se çifti është vrarë nga një person i tretë për arsye që nuk dihen ende, pasi është gati e pamundur që një 84 vjeçar apo një grua 88 vjeçare të ketë aq forcë fizike sa të godasë me sende të forta dhe të shkaktojë plagë vdekjeprurëse.
Kjo e fundit është dhe pista ku është fokusuar më tepër grupi hetimor, nisur dhe nga plagët që kishin në trup Kosta dhe Kleoniqi Ilia. Një nga të moshuarit është qëlluar në pjesën e pasme të kokës, kurse tjetri kishte një shenjë të madhe në pjesën e përparme të saj.