Një shofer 20 vjeçar është arrestuar nga shërbimet e Policisë së Tiranës, pasi ka tentuar të korruptojë efektivët e Rrugores, siç shihet dhe nga pamjet e shpërndara në media. Ai akuzohet për veprën penale "Korrupsion aktiv" dhe është dërguar në qeli.
Kanë qenë efektivët e Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë të cilët e kanë konstatuar këtë shtetas duke u futur me semafor të kuq në një nga akset kryesore të qytetit dhe e kanë ndaluar.
Mirëpo, kur patrulla është afruar pranë mjetit tip "Ford Focus", shoferi 20 vjeçar u ka ofruar para efektivëve me qëllim që ata të lejonin të largohej. Gjendur në këto kushte, Rrugorja i ka komunikuar shkeljen e semaforit dhe tentativën për korrupsion.
Menjëherë është bërë ndalimi i tij dhe kolegët e Policisë Rrugore kanë njoftuar patrullën e rendit, për shoqërimin e shoferit të ri në ambientet e Komisariatit, ku është njohur zyrtarisht me akuzën.
Policia Rrugore Tiranë apelon të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje në numrin 112! "Lufta kundër këtij fenomeni do të intensifikohet, qoftë ndaj shkelësve, qoftë ndaj atyre që kryejnë korrupsionin pasiv", vijon reagimi.