Hapësire reklamuese

Aktualitet

16.445 makina dhe skafe të konfiskuara, Policia bëhet gati t'i shesë në ankand publik

Shkruar nga Newsbomb
16.445 makina dhe skafe të konfiskuara, Policia bëhet gati t'i
Makinat e konfiskuara nga Policia e Shtetit

Policia e Shtet do të shesë në ankand publik të gjitha mjetet e konfiskuara që aktualisht ndodhen në ambientet e Komisariateve dhe Drejtorive Vendore. Janë 16.445 mjete, me statuse të ndryshme, që kanë krijuar problematikë të vazhdueshme ndaj kërkohet nxjerrja e tyre në ankand.

Siç evidentohet në shkresat e siguruara nga Newsbomb.al, kjo nisëm vjen si domosdoshmëri për rregullimin e një situate me rrezik të madh potencial që mbajnë këto mjete rrugore apo lundruese, për mjedisin dhe sigurinë publike, pasi në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore, si zjarre apo shkarkime elektrike, dëmet do të jenë të mëdha prej karburantit dhe lubrifikantëve që kanë.

Ministria e Brendshme ka hedhur për konsultim publik këtë projektligj dhe thotë se ndër të tjera, ai do të zgjidhë dhe dëmin ekonomik dhe konfliktet e krijuara me pronarët e pikave të ndalimit administrativ të mjeteve.

Pavarësisht numrit shumë të madh të mjeteve që janë aktualisht të konfiskuara, synohet që në ankande publike të dalin vetëm ato makina dhe mjete lundruese të cilat nuk kanë statusin "provë materiale". Gjithashtu, subjekt i ligjit do të jenë dhe mjetet e patarguara ndonjëherë në Shqipëri, të cilat nuk kanë statusin "provë materiale".

Në strukturat vendore të Policisë së Shtetit dhe në pikat e ndalimit administrativ të mjeteve rrugore, aktualisht ndodhen 16.445 mjete, me statuse të ndryshme, një pjesë e të cilave, ka vite që nuk po ju jepet një zgjidhje për të kryer procedurat e mëtejshme. Nga totali mjeteve rrugore janë:

a. prova materiale 8.440 mjete rrugore,

b. mjete të ndaluara administrativisht për shkelje të rregullave, të braktisura apo debitorë 8.005 mjete, ku nga këto 2.419 mjete rrugore, janë të pajisura me dokumentacionin përkatës për të kaluar në Rezervat Materiale të Shtetit, por që nuk janë tërhequr,

c. janë dhe funksionojnë 64 pika bllokimi në ambientet policore dhe të tjera të marra me qira, për të cilat Policia e Shtetit paguan kosto të larta dhe të panevojshme financiare,

ç. janë angazhuar në këto pika 98 punonjës policie, të cilët janë hequr nga shërbimet policore.

Ministria e Brendshme konsideron si problematikë të rëndë dhe kategorinë e mjeteve pa dokumentacion të plotë, të braktisura, të cilat ndër vite vazhdojnë të qëndrojnë në ambientet e pikave të bllokimit, të strukturave të Drejtorive Vendore të Policisë, raporton newsbomb.al.

Përmes këtij projektligji, synohet zgjidhja e kësaj problematike, përmes sigurimit të informacionit në bashkëpunim me Prokuroritë përkatëse, që të identifikohet statusi juridik e më pas të veprohet nga institucionet përkatëse për mjetet pa dokumentacion shoqërues.

Gjithashtu, problematika ka pasur edhe referuar mjeteve të cilat kanë status juridik të qartë, të cilat Rezervat Materiale të Shtetit duhet t’i administrojnë në zbatim të nenit 209 të Kodit Rrugor, megjithatë, për shkak të pamundësisë në kapacitete, veçanërisht burime njerëzore, nuk ka pasur zgjidhje dhe mjetet kanë mbetur stok në ambientet e komisariateve të policisë.

Mjetet rrugore, të regjistruara e të pajisura me leje qarkullimi nga organet kompetente shqiptare, të konfiskuara si pasojë e sekuestrimit, ndalimit administrativ nga organet e Policisë së Shtetit, të cilat nuk kanë statusin juridik “provë materiale”, propozohet të kalojnë për procedura të mëtejshme për shitje në ankand nga Policia e Shtetit, sipas legjislacionit në fuqi për ankandin publik.

Edhe mjetet rrugore, të cilat nuk janë të regjistruara e të pajisura me leje qarkullimi nga organet kompetente shqiptare, me ose pa targa regjistrimi/leje qarkullimi nga një shtet i huaj, pas rikonfirmimit të verifikimeve me shtetet e origjinës, propozohet të kalojnë për procedura të mëtejshme për shitje në ankand nga Policia e Shtetit, sipas legjislacionit në fuqi për ankandin publik.

Në të njëjtën mënyrë do të veprohet dhe me skafet dhe mjetet e tjera lundurese, raporton newsbomb.al.

Mjetet lundruese, të regjistruara e të pajisura me leje lundrimi dhe me certifikatën e përdorimit të mjetit lundrues nga organet kompetente shqiptare, të konfiskuara si pasojë e sekuestrimit, ndalimit apo bllokimit nga organet e Policisë së Shtetit të cilat nuk kanë statusin juridik “provë materiale”, propozohet të kalojnë për procedura të mëtejshme për shitje në ankand nga Policia e Shtetit, sipas legjislacionit në fuqi për ankandin publik.

16.445 makina dhe skafe të konfiskuara, Policia bëhet gati t'i
Makinat e konfiskuara ne Drejtorite e Policise

Mjetet lundruese, të cilat nuk janë të regjistruara e të pajisura me leje lundrimi dhe certifikatën e përdorimit të mjetit lundrues nga organet kompetente shqiptare, me ose pa leje lundrimi nga një shteti huaj, pas rikonfirmimit të verifikimeve me shtetet e origjinës, propozohet të kalojnë për procedura të mëtejshme për shitje në ankand nga Policia e Shtetit, sipas legjislacionit në fuqi për ankandin publik.

Projektligji i hedhur për konsultim publik sqaron se, edhe mjetet që janë ndaluar administrativisht për mangësi në dokumentacion, mjetet e braktisura apo mjetet e debitorëve, për të cilat poseduesit e tyre nuk shfaqin interes për kthimin brenda 90 ditëve nga ndalimi administrativ, do të propozohet të kalojnë për administrim dhe procedura të mëtejshme për shitje në ankand nga Policia e Shtetit, sipas legjislacionit në fuqi për ankandin publik.

Pasi të jenë shitur në ankand, projektligji propozon që të ardhurat e gjeneruara, do të kalojnë përkatësisht në favor të buxhetit të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, ku një pjesë e këtyre të ardhurave do të përdoren për transferimin e këtyre mjeteve nga mjediset e pikave të bllokimit në ambientet e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese