Zjarri i madh në lagjen Qafë Hardhi të Shkodrës është shuar pak pas mesnate, pas një beteje ku janë përfshirë dhjetëra forca zjarrfikëse të veriut, njësi nga Ulqini e Tivari, efektivë të Policisë së Shkodrës, autoambulanca dhe një helikopter "Cougar" i Forcave të Armatosura.
Autoritetet lokale kanë kërkuar ndihmë urgjente nga Emergjencat Civile, ndërsa zjarrfikëset janë angazhuar menjëherë në zjarrin e fuqishëm. Mjete të ndryshme janë dërguar nga Malësia e Madhe, Lezha, Ulqini dhe Tivari, për të ndihmuar në përhapjen e flakëve.
Zjarri shpërtheu në tregun e rrobave të përdorura dhe përfshiu dhe disa shtëpi private që ishin ngjitur. Fatmirësisht, nga ndërhyrja e shpejtë nuk ka pasur persona të lënduar, por veç dëme materiale.
Në terren janë të angazhuar 21 mjete zjarrfikëse nga reparti i Shkodrës dhe zonat e tjera, së bashku me 110 efektivë zjarrfikës. Përveç kësaj, janë mobilizuar 30 efektivë të Policisë Shkodër, 20 të Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë dhe 3 autoambulanca me personel nga Spitali i Shkodrës.
Në përpjekje për të ndihmuar në zjarr, janë përfshirë edhe 110 punonjës të Bashkisë Shkodër dhe 30 efektivë të Repartit Ushtarak Vau Dejës.
Zjarri në tregun e rrobave të përdorura ra rreth orës 19:00 të pasdites së djeshme dhe situata u vështirësua kur flakët u afruan pranë shtëpive private në lagjen “Qafë Hardhi” të Bashkisë Shkodër. Disa prej tyre janë përfshirë nga flakët, ndaj dhe banorët u evakuuan menjëherë.
Beteja është bërë në të gjitha frontet dhe në orët e mbrëmjes është ndërhyrë nga ajri. Forcat e Armatosura kanë dërguar drejt kryeqendrës së veriut një helikopter "Cougar", i cili me hedhjen e ujit nga sipër ka izoluar vatrat aktive, duke dhënë një ndihmë të madhe për zjarrfikësit nga toka.
Për më shumë se 5 orë, këta të fundit kanë luftuar me flakët, për të shpëtuar jetët e banorëve dhe pronën e tyre.
© Newsbomb.al