Gazetari Eni Ferhati ka zbardhur detaje nga marrja në pyetje prej 7 orësh e kryebashkiakut Erion Veliaj në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Ferhati është shprehur se Veliajt i janë bërë rreth 100 pyetje nga prokurorët e SPAK, lidhur me procedurat e ndjekura për inceneratorin e Tiranës.
“Duke ditur që nuk ka një procedurë standarde për të shkuar në SPAK vullnetarisht ashtu siç deklaroi Veliaj, u arrit në përfundimin se Veliaj nuk u paraqit vullnetarisht, por kishte një fletëthirrje nga SPAK. Fletëthirrja ka qenë në orën 10:00 të ditës së sotme, por ai erdhi në orën 09:00.
Qëndrimi i Veliajt në hyrjen e SPAK me rojen e gardës dhe rojen e SPAK për 50 minuta, na bëri të shkojmë te varianti që Veliaj është thirrur nga SPAK dhe nuk u trajtua në mënyrë të privilegjuar për t’u marrë më parë në pyetje.
Kam dijeni se Veliaj u është përgjigjur 100 pyetjeve ditën e sotme, lidhur me procedurat e ndjekura për inceneratorin e Tiranës, si person që ka dijeni, ku për hir të së vërtetës bashkia nuk është institucioni kontraktor. Veliaj ka paraqitur edhe disa prova të reja, që sipas tij mund t’i shërbejnë hetimit. I është krijuar mundësia të ketë edhe një periudhë pushimi”, tha Ferhati për “Now me Erla Mëhillin” në “Euronews.al”.