
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtore ish-kryebashkiaken e Patosit, Rajmonda Balilaj e cila akuzohet për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Këtë të mërkurë trupa gjykuese ka vendosur dy vite burg për Balilajt, dënim i cili i është konvertuar në 2 vite e 8 muaj shërbim prove.
“Rajmonda Balilaj shpallet fajtor për shkeljen e barazisë në tendera, dhe dënohet me 1 vit e 6 muaj burgim për secilën akuzë. Pas bashkimit të dënimeve, ajo merr një dënim të vetëm prej 2 vjetësh burgim. Me aplikimin e gjykimit të shkurtuar, dënimi i saj ulet me 1/3, duke rezultuar në një dënim përfundimtar prej 1 vit e 4 muaj burgim. Pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, me provë për 2 vjet e 8 muaj, në kushte që ajo të mos kryejë vepra të tjera penale dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës. Heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vjetësh”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës.
Gjithashtu, GJKKO ka dënuar me burg ish-nënkryetaren Anisa Petani, ish-sekretarin e Përgjithshëm, Shkëlqim Beqiraj si dhe ish-anëtaren e komisionit të ofertave në Bashkinë e Patosit, Enirjada Rizaj.
-Anisa Petani është dënuar me 1 vit burg dhe dënimi i saj është konvertuar në 2 vjet shërbim prove, nën akuzën për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258.
-Enirjada Rizaj është dënuar me 1 vit burg dhe dënimi i saj është konvertuar në 2 vjet shërbim prove, nën akuzën për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258.
-Shkëlqim Beqiraj është dënuar me vit burg dhe dënimi i tij është konvertuar në 2 vjet shërbim prove, nën akuzën për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258.
Në qershor të vitit 2024 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pranoi kërkesën e SPAK dhe dërgoi për gjykim ish-kryebashkiaken e Patosit, Rajmonda Balilaj si dhe gjashtë zyrtarë të tjerë, të cilët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, paracaktuan si fitues në dy tendera të njëjtën kompani, që rezultonte se përgjatë tre viteve kishte fituar 32 pocedura prokurorimi të kësaj njësie vendore.
“Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal me Nr.82, të vitit 2021, në ngarkim të të pandehurve: Rajmonda Balilaj, Anisa Petani, Shkëlqim Beqiraj, Enirjada Rizaj, të cilët akuzohen për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, dy herë, parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal (përpara ndryshimeve të bëra me ligjin Nr.43/2021)”, thuhej në njoftimin e bërë nga GJKKO në qershor të vitit që lamë pas.