Policia e Shtetit ka nisur një aksion “blic” për kontrollin e serave, tuneleve, magazinave dhe ambienteve të mbyllura, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Aksioni është shtrirë në gjithë vendin.
Ky nuk është reagimi i parë i Policisë i kësaj natyre, pasi edhe në vitet e kaluara janë bërë të tilla aksione, me qëllim zbulimin dhe parandalimin e kultivimit të kanabisit në territor. Kontrollet janë bërë edhe në tunele të vjetra që kanë qenë depo të shtetit, por tani janë të braktisura.
Shqipëria pa kanabis është dhe prioritet i drejtorit të Policisë Gledis Nano. Në analizën e punës së drejtorive të qarqeve, një nga porositë e tij ishte evidentimi dhe goditja e veprimtarisë kirminale në fushën e kultivimit të kanabisit.