Hapësire reklamuese

Kulture & Art

Akademia e Studimeve Albanologjike, profesorët e huaj të shqetësuar: Tronditëse! Dëm i pariparueshëm për kërkimin shqiptar

Shkruar nga Newsbomb
Akademia e Studimeve Albanologjike, profesorët e huaj të

Pedagogë dhe profesorë të huaj shprehin shqetësim në lidhje me zhvillimet në Shqipëri, për mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike. Ata e konsiderojnë tronditës lajmin, ndërsa thonë se mbyllja e këtij institucioni, do të shkaktojë një dëm të pariparueshëm në kërkimet antropologjike në vend.

Christopher J. Godd, drejtor i Akreologjisë dhe Filozofisë për Lindjen dhe Perëndimin, thotë se është njohur me vendimin për shkrirjen e Akademisë dhe të gjitha institucioneve në varësi të saj, duke e konsideruar tronditës atë që ai thotë se është "plan i qeverisë shqiptare".

"Jam jashtëzakonisht i tronditur nga plani i qeverisë shqiptare për të çmontuar Akademinë tuaj prestigjioze të Studimeve Shqiptare dhe të gjitha institucionet me famë botërore që varen prej saj, përfshirë Institutin Arkeologjik, të cilit i detyrohet kaq shumë arkeologjia ndërkombëtare.

Unë bashkohem me të gjithë ju në këto kohë të vështira dhe ju mund të jeni të sigurt për mbështetjen time, të cilën unë jam i gatshëm t'jua shpreh në çdo mënyrë që ju duket e dobishme. AOROC, Instituti ynë Arkeologjik, do t'ju qëndrojë pranë në këtë kalvar që na shqetëson të gjithëve", thotë Christopher J. Godd.

Ndërkohë, Ger Duijzings, profesor i Antropologjisë Sociale (me fokus në Evropën Juglindore dhe Lindore), Universiteti i Regensburgut, Gjermani thotë se ky vendim i qeverisë shqiptare është jopërfundimtar ndaj ai kërkon që të prishet dhe të mos zbatohet.

"Me mosbesim dhe alarm kam marrë lajmet e fundit për planet e qeverisë shqiptare për mbylljen e ASA-së si institucion. Unë kërkoj prishjen e këtij vendimi të qeverisë, i cili duket ende jo përfundimtar. Këtë letër po e shkruaj në cilësinë personale, si një akademik me interes të përjetshëm për studimet shqiptare, por edhe si drejtues i projektit të seeFFfield (https://seeffield.app.uni-regensburg.de/), financuar nga Fondacioni Gjerman Volksëagen për të forcuar Studimet e Evropës Juglindore (2022-2029).

IAKSA është një nga partnerët tanë kyç në përpjekjet tona për t'i dhënë përparësi studimeve shqiptare si një fushë e rëndësishme që është lënë pas dore dhe për këtë arsye meriton vëmendje të veçantë. Pasi emëruam një pedagog për gjuhën shqipe në prill, numri i studentëve që shfaqin interes për të mësuar gjuhën shqipe i ka kaluar pritshmëritë tona. Përfshirja e IAKSA në seeFField është produkt i viteve të shkëmbimeve të frytshme (formale dhe joformale), duke zhvilluar interesa të përbashkëta dhe bashkëpunime të frytshme në eksplorimin e shoqërisë bashkëkohore shqiptare (veçanërisht në fushat e antropologjisë urbane, fshatit global dhe artit bashkëkohor), në zhvillim ndër projektet e tjera të përbashkëta antropologjike të punës në terren.

Përvoja ime është se IAKSA është me të vërtetë në ballë të zhvillimeve në disiplinën tonë, duke zhvilluar këndvështrime kritike për shoqërinë shqiptare, por duke nxitur në të njëjtën kohë një kulturë organizative shembullore ‘horizontale’ të bashkëpunimit. Me përfshirjen e IAKSA në projektin seeFField (me partnerë të tjerë që vijnë nga rajoni, Evropa Perëndimore, si dhe Kanadaja, Turqia dhe Kina), kemi mbërritur tashmë në fazën e shndërrimit të ideve dhe iniciativave në bashkëpunime formale në drejtim të mësimdhënies dhe projekte të përbashkëta kërkimore së bashku me IAKSA.

Vendimi (provues) i qeverisë shqiptare i vë të gjitha këto në rrezik. Ekzistenca e një prej partnerëve tanë kryesorë është nën kërcënim dhe unë nuk mund të qëndroj pranë për të parë këtë të ndodhë", shkruan profesori gjerman Ger Duijzings.

Edhe një grup profesorësh nga Kosova kanë reaguar në lidhje me zhvillimet në Shqipëri, për planet dhe vendimin për mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike. Departamenti i Antropologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës është sensibilizuar i gjithi me këto përpjekje, të cilat i konsiderojnë shqetësuese dhe një dëm për kërkimin antropologjik e arkeologjik.

"Me shqetësim e kemi dëgjuar lajmin, dhënë në një deklaratë për shtyp të datës 27 maj 2023, për mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), në kuadër të së cilës funksionojnë Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Historisë dhe Instituti i Gjuhësisë dhe Qendra e Enciklopedisë Shqiptare.

Ky është lajm tronditës për antropologët, arkeologët, gjuhëtarët, historianët e të gjithë hulumtuesit e fushave të albanologjisë, por edhe për studentët, kolegët e komunitetit akademik dhe mbarë studiuesit e historisë, kulturës dhe gjuhës shqipe.

Kolegët e ASA-së, sidomos kolegët nga Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Instituti i Arkeologjisë, me të cilët kemi bashkëpunime të rregullta, kanë hapur shtigje të reja në studime albanologjike, duke ridimensionuar studimin albanologjik në linjë me metodat, qasjet dhe perspektivat e institucioneve të mirëfillta shkencore evropiane.

Sa i përket bashkëpunimeve kombëtare, ASA është bashkëpunëtori kryesor i Departamentit të Antropologjisë, me të cilët kemi realizuar një varg punësh dhe jemi duke punuar së bashku në vijim.

Disa prej tyre po i theksojmë këtu:

- Kolegët nga ASA janë hisedarë në formimin e Degës së Arkeologjisë në Departamentin e Antropologjisë/Fakulteti Filozofik në Universitetin e Prishtinës. Profesor Luan Përzhita, Prof. Belisa Muka dhe Prof. Evalda Paci kanë ligjëruar për afër 1 dekadë në këtë degë dhe kanë formësuar kuadrot tona. Madje, që nga themelimi i Departamentit të Antropologjisë, në atë kohë Departamenti i Etnologjisë, profesorë nga IAKSA (në atë kohë Instituti i Kulturës Popullore) të prirë nga prof. Mark Tirta, kanë qenë të angazhuar në mësimdhënie në departamentin tonë.

- Kolegët nga Instituti i Arkeologjisë kanë pritur në vazhdimësi me dhjetëra studentë të Degës së Arkeologjisë në projektet e tyre arkeologjike duke ju mundësuar atyre kryerjen e trajnimeve në fushën e kërkimeve arkeologjike me metoda bashkëkohore që aplikohen sot në fushën e kërkimit arkeologjik

- Hulumtuesit e IAKSA-së kanë mbajtur ligjërata mysafire, kurse në Universitetin Veror të Prishtinës, tryeza e seminare të përbashkëta me profesorët e Departamentit të Antropologjisë, pa ndërprerë, që nga themelimi i Departamentit

- Me kolegët e IAKSA-së, kemi realizuar edhe konferenca të përbashkëta (si ajo për 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, prej së cilës doli përmbledhja “Kosova antropologjike” 2020), punëtori të përbashkëta (si Laboratori i Antropologjisë Vizuele (LAV 2016-2020) në Prizren) e punë të përbashkëta terreni (zonat Has e Opojë)

- Kolegët e Institutit të Antropologjisë dhe Institutit të Arkeologjisë janë pjesëmarrës të përhershëm në konferencat, tryezat e punëtoritë e realizuara nga Departamenti i Antropologjisë (Seminari i Antropologjisë 2018-2023, Konferenca Ndërkombëtare e Arkeologjisë, nëntor 2022 etj.)

- Një numër i konsiderueshëm i studentëve të Departamentit të Antropologjisë ka realizuar studimet MA dhe PHD në ASA-së (prej vitit 2002 e këndej)

- ASA dhe Universiteti i Prishtinës kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit për organizim të hulumtimeve, botimeve, konferencave dhe studimeve të përbashkëta në nivelin MA dhe PHD (2023)

- Profesor Arsim Canolli është anëtar i redaksisë së revistës “Antropologjia” (revistë shkencore e IAKSA) që nga vitit 2018

- Profesor Nebi Bardhoshi është anëtar i redaksisë së revistës “Kosova Anthropologica” (revistë e Departamentit të Antropologjisë, Universiteti i Prishtinës) e themeluar sivjet

- IAKSA ka botuar monografi të profesorëve të Departamentit të Antropologjisë

- E shumë bashkëpunime të tjera.

Mbyllja e Akademisë e Studimeve Albanologjike, ku funksionojnë Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Instituti i Arkeologjisë, të cilët përkojnë me fushat kryesore të studimit në Departamentin e Antropologjisë/UP, krijon një boshllëk të madh dhe shkakton dëm të pariparueshëm në kërkimet antropologjike dhe arkeologjike shqiptare.

Po ashtu, ky do të jetë një dëm jo vetëm për dijen antropologjike shqiptare, por edhe për dijen antropologjike botërore, sepse Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Instituti i Arkeologjisë janë institucione që kanë traditë dhe reputacion të mirë jashtë vendit, për studimin antropologjik dhe arkeologjik të kulturës dhe shoqërisë në Evropën Juglindore.

Jemi në solidaritet të plotë me kolegët e instituteve të ASA-së dhe kolegët tanë të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Institutit të Arkeologjisë, duke përkrahur kundërshtimin e tyre për mbylljen e institucionit të tyre dhe shkrirjen e thërmijëzimin në copa në institucione të tjera.

Pasiguria dhe tensioni e dëmtojnë punën shkencore të kolegëve të ASA-së, demotivojnë ata dhe kolegët albanologë në kërkime e bashkëpunime shkencore dhe dekurajojnë të rinjtë të nisin studimet në fushën e albanologjisë.

Besojmë se dinjiteti personal dhe akademik i kolegëve është i pacenueshëm dhe vlerësojmë vendimin e tyre për të mbrojtur kërkimin e pavarur dhe të lirë akademik në Shqipëri", thuhet në deklaratën e profesorëve të Kosovës, nga Prof. Asoc. Dr. Arsim Canolli, Prof. Ass. Dr. Arben Hajdari, Prof. Ass. Dr. Tahir Latifi, Dr. Ass. Zanita Halimi, Dr. Ass. Rozafa Berisha, Dr. (Kand.) Ass. Durim Abdullahu, Dr. (Kand.) Ass. Ilir Culaj, Prof. Ass. Dr. Kujtime Boshtrakaj, Prof. Ass. Dr. Sedat Baraliu, Prof. Ass. Dr. Emine Kalaja- Hajdari, Dr. (Kand.) Ass. Elza Shipoli dhe MA. Ass. Yllka Syla-Uka.

Arthur Muller, profesor dhe anëtar nderi në Institutin Universitar të Francës, vlerëson rritjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike, duke nxjerr në pah se ajo ka kaluar nga kërkimi i centralizuar i drejtuar nga ideologjia komuniste në shkëmbimin e hapur dhe demokratik të qasjeve shkencore.

Sipas tij, shpërbërja e këtij institucioni do të rezultonte në një varfërim të madh të botës së kërkimit shkencor dhe akademik në Shqipëri dhe do të frenonte përparimin e madh të disa dekadave të fundit në fushën e albanologjisë. Profesor Muller thekson se kjo do të ndikonte negativisht në lidhjet jetike kulturore dhe si rrjedhim në të ardhmen e Shqipërisë dhe ambiciet e saj evropiane.

"Akademia e Studimeve Shqiptare e përbërë nga katër institute kërkimore dhe dy njësi kërkimore është institucioni i vetëm më i rëndësishëm kërkimor në fushën e arkeologjisë, historisë, antropologjisë, gjuhës dhe letërsisë në Shqipëri dhe më gjerë. Veprimtaria e saj në këto fusha vazhdon një trashëgimi prej mbi shtatë dekadash. Kjo është një periudhë në të cilën studimi i Shkencave Humane ka kaluar nga kërkimi i centralizuar i drejtuar nga ideologjia komuniste në shkëmbimin e hapur dhe demokratik të qasjeve shkencore, praktikave moderne dhe teorive. Ajo po zhvillohet si një organizatë e shekullit të njëzet e një për një komb modern evropian.

Akademia e Studimeve Shqiptare ka shërbyer si një qendër kryesore e rëndësishme kërkimi, trajnimi dhe edukimi për brezat e studentëve dhe studiuesve të ardhshëm në këto fusha të ndryshme dhe gëzon partneritet me shumë institucione eminente ndërkombëtare kërkimore në Evropë dhe më gjerë. Kontributi i saj nuk është vetëm për shkencat dhe kulturën e Shqipërisë, por gjithashtu mbështet ekonominë e saj në rritje, veçanërisht rritjen mbresëlënëse të turizmit dhe aktiviteteve kulturore që varen nga një brez i ri i formuar nga një sistem arsimor modern.

Shpërbërja e Akademisë së Studimeve Shqiptare dhe reduktimi i saj në njësi kërkimore në kuadër të Akademisë së Shkencave, siç propozohet aktualisht nga Ministria e Arsimit, do të rezultonte në një varfërim të madh të botës së kërkimit shkencor dhe akademik në Shqipëri dhe do të frenonte përparimin e madh të disa dekadave të fundit në fushën e albanologjisë. Kjo do të ndikonte negativisht në lidhjet jetike kulturore dhe si rrjedhim në të ardhmen e Shqipërisë dhe ambiciet e saj evropiane.

Si partnerë të vjetër të AAS, të cilët kanë ndërtuar projekte të shumta të suksesshme në Shqipëri falë vullnetit të këtij institucioni për bashkëpunim, ne komuniteti ndërkombëtar i shkencëtarëve dhe studiuesve dëshirojmë të shprehim mbështetjen tonë dhe të kundërshtojmë fuqishëm këtë vendim", shkruan profesori dhe anëtari i disa bordeve shkencore në Francë, Arthur Muller.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu