Hapësire reklamuese

Aktualitet

Akademia e Shkencave, si shembulli më i shëmtuar i shoqërisë shqiptare

Shkruar nga Newsbomb

Nga Mentor Kikia

Akademia e Shkencave më shumë se me një Akademi ngjason me një klub njerëzisht të ditur, por që pak lidhje ka me shkencën. Reformat e njëpasnjëshme e deformuan atë, ia zhbënë edhe atë infrastrukturë që kishte trashëguar nga periudha e komunizmit, kur për hir të së vërtetës bëheshin shumë më tepër kërkime shkencore. Pra, edhe pse ka emrin, ajo nuk udhëheq ndonjë shkencë të mirëfilltë sot.

Mbi 40 e ca personalite të fushave të ndryshme përbëjnë trupën akademike të Shqipërisë sot. Njerëz të nderuar, secili në fushën e vet.

Sot, shoqëria shqiptare, nën udhëheqjen e një klase politike me rrezikshmëri të lartë, është duke shkuar seriozisht drejt një konflikti të rëndë. Qeveria është e vendosur të udhëheqë një proces zgjedhor pa rivalë, (pa opozitë), dhe opozita është e vendosur tu vërë zjarrin qendrave të votimit.

Kësaj radhe edhe arbitrat e huaj nuk po i fryjnë bilbilit. Kanë vendosur të shikojnë se deri ku mund të shkojmë me çmendurinë tonë. Ndërsa njerëzit e thjeshtë ulen çdo mbrëmje me telekomandë në dorë e presin çdo të thuhet nëpër studio debatesh.

Pikërisht sot, më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për fjalën e njerëzve të mënçur, njerëzve që kanë peshë në shoqëri, njerëzve që janë të zot ta këshillojnë shoqërinë kur ajo ndodhet në udhëkryqe të rrezikshme, si ky aktuali. Por asnjëri prej tyre nuk guxon të flasë, të thotë: “Mbajeni gojën ju që i fryni zjarrit. Mbajeni dorën ju të tjerët që hidhni benzinën”. Por si nëpunës të rëndomtë administrate janë struktur dhe heshtin, me argumentin se janë të pavarur.

Si mund të jeni të pavarur “baballarë të kombit”, kur vendit po i kanoset zjarri, jo metaforik, por flaka e vërtetë.

Nëse nuk flisni sot, kur do të flisni? Kur të ndizen pishtarët dhe të marshojnë funeralet? Padyshim, ju jeni njerëz dhe ju nevojitet ajo paga 1000 Euro në muaj. Por përgjegjësia juaj para popullit është shumë më e madhe se e atyre që fitojnë 1 milion Euro në muaj.

Kjo Akademi nuk mund të bëjë shkencë të madhe, ama një model të mirë mund dhe duhet ta prodhojnë. Por pikërisht, mu bash në kohën kur duhet të prodhohet ky modeli i mirë, një tufë akademikësh, studiuesish e shkrimtarësh, njëri më i vlerësuar publikisht se tjetri, vihen në rresht dhe zgjedhin për kryetar, me shumicë dërrmuese votash, një politikan(përfaqësuesin e modelit më të keq të politikanit), pa garë, me vetëm një kandidaturë.

Fiks, ju lumtë baballarë të kombit!

Ky ishte leksioni që duhej ta na jepnit, neve si qytetarë dhe klasës politike si zjarrvënëse. Me apo pa Gjinushin, ju nuk bëni dot shkencë, por një leksion mund ta jepnit. Qoftë edhe formalisht mund ta gjenit një rival, sa për të thënë se kështu funksionon demokracia.

Tani shkoni në azilin tuaj, pasi nuk meritoni asnjë fije respekti!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu