Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka dhënë një intervistë nga arratia për gazetarin Çim Peka, ku premtohet të tregohen shumë të vërteta e të pathëna. Ajo do të transmetohet nesër mbrëma në ekranin e Syri Tv dhe drejtuesit shprehen se do të jetë "bombë".
Siç shihet dhe nga fotografia që ka publikuar vetë televizioni, gazetari dhe ish-zv.kryeministri që po kërkohet nga SPAK për disa akuza penale, qëndrojnë ballë për ballë dhe janë mbuluar të fshehin sfondin nën një perde të zezë.
"E enjte 20.45! “Shpërthen ARBEN AHMETAJ” Jo thjesht përgjigje, por akuza të rënda për Edi Ramën. Kush janë pronarët realë të inceneratorit të Tiranës. Pazaret e oligarkëve me Ramën dhe Veliajn. Kur, si dhe pse u ndanë me Edi Ramën?
Pse vendosi të mos kthehet në Shqipëri pas vendimit për arrest? Dhe kërcënimet me jetë... Një rrëfim si kurrë më parë E ENJTE, Arben Ahmetaj në SYRI TV", shkruan Çim Peka.
Pak kohë më parë, në një intervistë ekskluzive në këtë televizion ka dalë dhe një nga pronarët e akuzuar dhe kërkuar nga SPAK për inceneratorët, Mirel Mërtiri. Ai shënjestroi drejtësinë dhe tha se akuzat ndaj tij ishin të montuara.
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me inceneratorët. Atij me herët i janë sekuestruar 4 apartamente, si dhe dy llogari bankare të cilat arrijnë vlerën 124.300 Euro. Pasuri të cilën dyshohet se e ka përfituar falë marrëdhënies me pronarët e inceneratorëve Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, që ndodhen gjithashtu po ashtu në kërkim.
Prokuroria e Posaçme përfundoi në Dhjetor 2023 hetimet dhe çoi në GJKKO dosjen në ngarkim të Arben Ahmetajt lidhur me privatizimin dhe aksionet e shoqërisë “Buka Sh.a”.
Për këtë rast të dytë, ndaj Arben Ahmetaj është ngritur akuza për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në vlerë dëmi rreth 7 miliard lekë, teksa ish-numri dy i qeverisë ndodhet prej muajsh në kërkim ndërkombëtar për inceneratorin e Elbasanit dhe pasurinë e pajustifikuar.