Deputeti dhe politikani demokrat Agron Shehaj ka zbuluar detaje nga përgatitjet për krijimin e partisë së re. Ajo do të jetë parti moderne, e qendrës së djathtë dhe do të prezantohet si një alternativë e re në të gjithë Shqipërinë, mëson newsbomb.al.
"Po ndërtojmë një alternativë politike të re, moderne të qendrës së djathtë. Duam një Shqipëri që krijon mundësi për të gjithë. Bëhu pjesë e rrjetit #NextYou në të gjithë Shqipërinë. #1000aktivistë", shkruan Agron Shehaj dhe ndan videon e mëposhtme.
Ky i fundit është aktualisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga lista e Partisë Demokratike, e zgjedhjeve të 25 Prillit 2021.
Mirëpo, me përplasjet dhe gjendjen në të cilën ndodhet sot kjo forcë politike, Agron Shehaj ka vendosur të distancohet dhe të mos përfshihet në përballjen me të paktën tre grupimeve që janë krijuar brenda partisë më të madhe opozitare.
Prej muajsh ai ka deklaruar se është duke punuar për krijimin e një force të re politike dhe tashmë dalëngadalë po tregon dhe detaje.
Agron Shehaj po zhvillon takime me persona që kanë dëshirë të kenë një kontribut dhe që nuk kanë lidhje me të, por që janë të gatshëm të ndihmojnë në këtë parti të re. Ajo do të jetë gati për zgjedhjet e vitit 2025, mëson newsbomb.al.
Sipas idesë që ai ka, nuk bëhet fjalë për krijimin e një partie politike klasike, për më tepër personale, që të jetë vetë kryetari dhe të komandojë ata që do ai. Duke e njohur sistemin politik në Shqipëri, edhe si deputet, Agron Shehaj duket se nuk do të krijojë fotokopje të partive të tjera.