Kreu i PAA Agron Duka thotë se, opozita e bashkuar do t’i fitojë bindshëm këto zgjedhje. Sipas tij, edhe socialistët vetë janë të bindur se PS-së i duhet një rotacion politik, sepse 8 vite në qeverisje janë shumë.
“Në takimet e mia, edhe socialistët janë të bindur se edhe PS-së i shërben rotacionin politik. Një mënyrë komunikimi deri e turpshme e kryeministrit. Tetë vjet qeverisje janë shumë, një njeri që ka marrë të gjitha pushtetet, dashje pa dashje, e i duket vetja si i mençur, por po bën komunikim të shëmtuar.
Një njeri që flet çfarë të vijë ndërmend pa marrë parasysh se kë ka përballë, tregon se nuk është i interesuar për grupet e interesit. Kjo qeverisje duhet të ikë e të vijë alternativë e re. S’mund të rrimë peng i këtyre lloj mentaliteteve. Flitet për miliona euro, shuma që janë të çmendura për Shqipërinë”, u shpreh Duka në emisionin “Koha për tu Zgjuar”.
Për fushatën në zonën e tij, në Durrës, Duka tha se ajo paraqitet e qetë.
“Fushata ka qenë e qetë, edhe për shkak të pandemisë nuk kishte takime me numër të madh njerëzish. E lodhshme natyrisht, sepse kemi zhvilluar takime me grupe të vogla. Ambienti s’ka qenë i egër, siç jemi mësuar të shohim në Durrës. Aty-këtu ka elementë që duan të favorizojnë, sidomos Rilindjen.
Ka entuziazëm popullor, ka frymë që kërkon rotacion pushteti dhe kjo ka kërkuar ambient mbytës për elementët që mund të gjenden aty-këtu. Shpresoj që të kemi zgjedhje të qeta e të lira. Në Dibër u kap një makinë me para, për të blerë vota. Kjo tregon se edhe gjithë populli është ndërgjegjësuar për shit-blerjen e votës”, është shprehur kreu i PAA.