
Njoftimi i plotë - Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, pas hetimeve 2-mujore, finalizuan operacionin e koduar "Postmail", si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetases: -Alma Beqiri, 46 vjeçe, banuese në Korçë. Nga veprimet e thelluara hetimore rezulton se kjo shtetase, gjatë periudhës 2021-2023, në të cilën ushtronte funksionin e agjentes së shërbimeve postare private në Korçë dhe Pogradec, dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shumën 3,000,000 euro. 46-vjeçarja, me detyrë agjente e shërbimeve postare private, shpërndante pako të ndryshme postare, për llogari të subjekteve të treta dhe shumat monetare që i arkëtonte nga klientët, nuk i ka derdhur në llogarinë e subjekteve tregtare shitëse dhe as tek kompania që kryente këtë shërbim. Shumën e konsiderueshme të përfituar, kjo shtetase dyshohet se e ka investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të bizneseve tregtare, në emër të vet dhe të familjarëve të saj. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete, në përdorim nga 46-vjeçarja. Vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë, të dyshuar të implikuar në këtë skemë mashtrimi. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.Sondazh
Poll