Policia e Kosovës e ka arrestuar kreun e Federatës së Futbollit, Agim Ademi. Mediat vendase shkruajnë se Ademi po merret në pyetje prej katër orësh dhe është arrestuar në shtëpinë e tij, në lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë.
Ende nuk dihen arsyet e arrestimit të Ademit, por dy-tre vitet e fundit ka pasur raportime në media se Federata e Futbollit e Kosovës ka qenë duke u hetuar nga Prokuroria, Policia e Krimeve Ekonomike dhe inteligjenca doganore për keqpërdorimin e fondeve dhe shmangie tatimore.
Ky arrestim vjen katër ditë para ndeshjes së Kombëtares së Kosovës me Izraelin në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.
Agim Ademi është shpallur i pafajshëm disa ditë më parë për një aktakuzë të ngritur ndaj tij në vitin 2012, për të cilën fillimisht ishte dënuar në dy shkallë të gjyqësorit me 9 muaj burgim efektiv, por që më pas Supremja e ka çuar në rigjykim dhe në fund u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës.