Ish-deputeti Belind Këlliçi ka njoftuar se ditën e sotme i janë dorëzuar drejtuesit të SPAK, Altin Dumanit, 653 faqe me prova dhe dokumente të cilat zbardhin aferën korruptive të Inceneratorëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Këlliçi duke mos dashur të bëjë publik asnjë dokumentacion, ka bërë me dije se Dumanit i janë dorëzuar kontrata të nënshkruara mes palëve, dokumentacion zyrtar të cilin SPAK nuk e ka gjetur pranë Institucioneve Shqiptare, komunikime elektronike mes palëve si dhe shumë dokumenta financiare.
Këlliçi thekson se janë duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të financimit të këtij projekti korruptiv, me para të dyshimta, për të cilat i takon SPAK që të hetojë dhe të zbulojë nëse janë para të zyrtarëve apo të grupeve kriminale.
Ndër të tjera demokrati shton se PD mbetet e vendosur për t’i shkuar deri në fund aferës korruptive të Inceneratorëve, për të cilën ideatorë dhe përfitues kryesorë sipas tij janë kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Partia Demokratike mbetet e vendosur për t’i shkuar deri në fund kësaj afere korruptive, e cila pa diskutim ka ideatorë dhe përfitues kryesorë dyshen Rama – Veliaj, për të cilët po përgatiten 3 kallëzime të reja pranë SPAK.
Pushteti arbitrar dhe korruptiv i Edi Ramës, mund t’i caktojë kryetarin opozitës, mund t’i caktojë grupin parlamentar, mund t’i mohojë komisonet hetimore parlamentare, por asnjëherë misionin e saj. Ne jemi të vendosur që cështjet publike, të parave të taksapaguesve, t’i ngremë me forcë dhe të kërkojmë zgjidhje nëpërmjet cdo mënyre të ligjshme. Megaafera e inceneratorëve është vetëm njëra prej tyre”, shkruan Këlliçi.
Postimi i plotë i ish-deputetit:
Të nderuar qytetarë,
Sot po i përcjellim zyrtarisht z. Altin Dumani, një material të plotë (653 faqe), produkt i një pune voluminoze 4 mujore nga Grupi i Ekspertëve të Partisë Demokratike, për zbardhjen e plotë të aferës korruptive të Inceneratorëve.
Në këtë material, Grupi i Punës ndihmon në mënyrë thelbësore për hetimin e kësaj çështje, sidomos lidhur me deklarimet e rreme të dhëna në Letër Porositë, nga aksionerët e sotëm. Këtë material po i’a përcjellim në mënyrë urgjente z. Altin Dumani, pasi ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të financimit të këtij projekti korruptiv, me para të dyshimta, për të cilat i takon SPAK të hetojë nëse janë para të zyrtarëve të veshur me pushtet, apo janë para të grupeve kriminale si Ndragheta, etj.
Sot nuk po bëjmë publik, asnjë dokumentacion, pasi besojmë fort se z. Dumani, pas ditës së sotme, do të ndërmarrë veprimet e duhura ligjore deri në zbardhjen e plotë të kësaj afere.
Gjithsesi ju bëjmë me dije se ky material përmban të dhëna autentike si:
- Kontrata të nënshkruara mes palëve.
- Dokumentacion zyrtar të cilin SPAK nuk e ka gjetur pranë Institucioneve Shqiptare.
- Komunikime elektronike mes palëve si dhe shumë dokumenta financiare.
Gjej rastin edhe njëherë, të falenderoj qytetarët e shumtë si dhe gazetarët kurajozë, të cilët për muaj me rradhë kanë bashkëpunuar me Grupin e Ekspertëve të ngritur pranë Partisë Demokratike, edhe pse shpesh herë janë përballur me kërcënime dhe baltosje nga makineria e propagandës qeveritare.
Partia Demokratike mbetet e vendosur për t’i shkuar deri në fund kësaj afere korruptive, e cila pa diskutim ka ideatorë dhe përfitues kryesorë dyshen Rama – Veliaj, për të cilët po përgatiten 3 kallëzime të reja pranë SPAK.
Pushteti arbitrar dhe korruptiv i Edi Ramës, mund t’i caktojë kryetarin opozitës, mund t’i caktojë grupin parlamentar, mund t’i mohojë komisonet hetimore parlamentare, por asnjëherë misionin e saj. Ne jemi të vendosur që cështjet publike, të parave të taksapaguesve, t’i ngremë me forcë dhe të kërkojmë zgjidhje nëpërmjet cdo mënyre të ligjshme.
Megaafera e inceneratorëve është vetëm njëra prej tyre.