Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për 4 punonjësit e Universitetit Bujqësor të Tiranës, të cilët akuzohen se kanë abuzuar me një tender me vlerë 10.5 milionë lekë.
Bëhet me dije se masa e sigurisë “arrest e burg” u la në fuqi për Ali Rashën, drejtori i formës didaktike eksperimentale në UBT, Tahir Ballgjinin, përgjegjës i sektorit të Bujqësisë, Rushit Sunën, specialist i sektorit të bujqësisë dhe Ahmet Mejdanin, magazimier në magazinën qendrore të UBT-së.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në role të ndryshme, paracaktonin fituesin e tenderave, kryenin hyrje dhe dalje fiktive të mallrave në magazina, duke shpërdoruar detyrën.
Një nga pajisjet që është regjistruar si e blerë mbi vlerën e çmimit në treg, rezulton të jetë një blender. Kostoja normale e kësaj pajisje elektro-shtëpiake në treg do të shkonte në jo më shumë se 30.000 lek të rinj, por sipas hetimit rezulton se letrat janë “kopsitur” nga katër punonjësit e UBT-së duke e blerë për 276.000 mijë lekë të rinj.
Ndërkohë, një tjetër pajisje e blerë mbi vlerën reale të tregut është një frigorifer me ngrirje i markës “Beko”, i cili kushton 30.000 mijë lekë të rinj, mirëpo në UBT është blerë me shifrën rekord të 108.800 lekë të reja.