Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve ka denoncuar sot të gjitha format e abuzimit seksual ndaj fëmijëve dhe kërkon reagimin e publikut jo vetëm për dënimin dhe denoncimin e rasteve të tilla, por edhe për të mbrojtur viktimat dhe për të parandaluar viktimizimin e mëtejshëm të fëmijëve që kanë pësuar një abuzim të tillë.
Sipas ASHMDF, rastet e abuzimit seksual të fëmijëve që bëhen publike, përfaqësojnë vetëm një fraksion të dhunës që vajzat dhe fëmijët pësojnë në vazhdimësi, pasi pjesa më e madhe mbetet e paraportuar.
Ndaj kërkon kërkon nga ata persona që kanë një dyshim për dhunë apo abuzim seksual ndaj fëmijëve, të denoncojnë menjëherë rastet në polici, për të mundësuar parandalimin apo marrjen në mbrojtje të fëmijëve si dhe arrestimin e dhunuesve.
ASHMDF e konsideron shqetësues faktin se shumë prej rasteve të raportuara të abuzimeve me fëmijët, ndodhin brenda familjes. Kjo i bën fëmijët akoma më të pashpresë, pasi dhunohen nga njerëzit të cilët kanë detyrën t’i mbrojnë.
“Megjithëse kjo kërkon thyerjen e tabuve shoqërore dhe kapërcimin e “turpit”, është në interesin më të lartë të fëmijës, që abuzimet të identifikohen sa më shpejt. I bëjmë thirrje drejtësisë të veprojë sa më shpejt, duke përdorur të gjitha mundësitë që ofron ligji për të dënuar abuzuesit. Njëkohësisht i bëjme thirrje strukturave publike për mbrojtjen e fëmijëve në nivel vendor të trajtojnë rastet me përparësi. Gjithashtu i bëjme thirrje mediave të tregohen të kujdesshme me këto raste delikate dhe të respektojnë të drejtat e fëmijëve, duke mos publikuar të dhëna mbi identitetin e tyre”, thuhet në deklaratën e ASHMDF-së.