Tirana
scattered clouds
23.5 ° C
23.5 °
23.5 °
31 %
3.6kmh
40 %
Die
25 °
Hën
25 °
Mar
21 °
Mër
24 °
Enj
23 °
E diel, 25 Shtator, 2022

A mbrohet mjedisi me katërfish plastikë?

spot_img

Lajme të ngjashëm

Qeveria mburret se ka larguar nga tregu qeset njëpërdorimshme, por në fakt ka shtuar ndjeshëm materialet platike që nuk treten

Nga Fatos Çoçoli

Tila, një pronare e një pike fruta-perimesh në zonën e 21 Dhjetorit në Tiranë, thotë se qeset e riciklueshme 35 mikron i përdori vetëm një muaj në dhjetor 2018, kur nisi edhe kontrolli i tyre nga Bashkia Tiranë. “I përdora qeset e riciklueshme, por ama ishin shumë të shtrenjta dhe ne ishim te detyruar t’i blinim, duke shpenzuar kështu nga fitimi jonë. Sa mirë që zgjati fare pak si praktikë, sepse u harrua shumë shpejt, dhe më mirë, se edhe ato qeset që blinim ne ishim pa asnjë lloj standardi dhe kishte krijuar monopolin e tyre kompania, me çmime të kripura. Se ne në këtë punë me 5 leksha e 10 leksha flasim, përsa i përket fitimit”, shprehet ajo.

Nga qëllimi fisnik tek qeset me më shumë plastikë

Të ulësh ndotjen e lartë të mjedisit, kryesisht të lumenjve e deteve, nga plastika që nuk riciklohet, pra që nuk tretet, përbën mirëfilli një veprim fisnik, që do të garantonte të ardhmen e shëndetit të fëmijëvë dhe nipërve tanë. Tek ne, në Shqipëri përdoren mesatarisht rreth 3,2 miliardë qese plastike në vit ose 26.280 tonë qese, ndërkohë që një qytetar përdor mesatarisht 3 qese plastike njëpërdorimshme në ditë.

Qeveria ka synuar t’i kufizojë apo largojë nga tregu ynë qeset plastike njëpërdorimshe. Një synim i drejtë. Fillimisht e provoi në dhjetor 2018 pushteti vendor. Nën shembullin e Gjermanisë (në vitin 2016, Gjermania mori vendimin që shitësit me pakicë të mos jepnim më qese plastike falas, dhe kjo ndihmoi në uljen e përdorimit nga 68 qese plastike për frymë, në 24 qese plastike, ose gati tre herë më pak), Bashkia Tiranë u imponoi supermarketeve dhe pikave të tjera të tregtimit me pakicë, që t’i vinin një çmim qeseve plastike. Bizneset vunë një çmim pesë lekë për qese dhe kjo masë kufizoi disi përdorimin e tyre, pasi qytetarët, për të kursyer, merrnin me vete qese ose trasta nga shtëpia.

Më tej, për fat të keq, çdo veprim i qeverisë qendrore, thjesht dhe vetëm ka rritur kostot e ambalazheve plastike për qytetarët dhe ka shtuar sasinë e plastikës në mjedis. Po si ka ndodhur kjo?

Pse rritja e peshës së ambalazheve plastike nuk kufizon ndotjen nga plastika

Më 26 prill 2018, me Vendimin e Këshillit të Ministrave(VKM) me nr. 232 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr. 177, datë 6.3.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për ambalazhet dhe mbetjet e tyre”( file:///C:/Users/user/Downloads/vendim-2018-04-26-232.pdf) , qeveria provoi të zëvendësonte ambalazhet e lehta plastike(qeset plastike) njëpërdorimshe, me trashësi 15-18 mikron, me ambalazh plastik më të rëndë, me trashësi mbi 35 mikron, të okso-degradueshëm(pra që oksidohet në mjedis), duke kërkuar që kjo lëndë e re plastike të kishte jo më pak se 55 përqind lëndë të parë nga reciklimi, ose material të bio-degradueshëm. Ky i fundit tretet në mjedis dhe nuk qëndron si mbetje helmuese).

Qese plastike me trashësi mbi 35 mikron, që cilësohen shumëpërdorimshme abuzivisht, pse qytetarët i përdorin vetëm një herë!

Materiali i okso-degradueshëm është tejet i rrezikshem. Oksidimi si proces nënkupton thërmimin në grimca të materialit plastik. Për shkencëtarët e Bashkimit Evropian dhe të mbarë botës, ndotja me grimca plastike është shumë më e dëmshme se ndotja nga qeset plastike normale(https://www.nationalgeographic.com/environment/article/plastic-pollution) . Shkencëtarët paralajmërojnë se, ndërsa plastika prishet ngadalë, mikro-grimcat hyjnë në zinxhirët e ushqimit dhe përfundojnë te njerëzit. Sot, ka plot studime që tregojnë gjurmë toksike në organizmat e gjallë, për shkak të përdorimit të lëndëve të okso-degradueshme. Qeset e okso-degradueshme pas tre vjetësh bëhen pleh toksik!

Spesori 35 mikron ose dyfishimi i plastikës tek ne

Megjithatë, qeset plastike me trashësi 35 mikron si në foton e mësipërme, të cilësuara nga qeveria si “shumëpërdorimshe”,  nisën të jepen nga supermarketet dhe pikat e tjera të tregtimit me 10 lekë qesen, por vetëm një në njëqind qytetarë merrte përsipër t’i përdorte sërisht ato! Kjo, pasi janë të trasha dhe nuk përthyhen lehtë. Kur përthyhen, të fryjnë xhepin dhe nuk i mban dot, të paktën burrat dhe djemtë jo.

Ato përmbajnë mbi 55 përqind(shpesh deri në masën 90-100 përqind) plastikë nga riciklimi, pra nga përpunimi i hedhurinave. Qese të tilla tek ne nuk përmbajnë materiale të bio-degradueshme, pasi këto të fundit janë elementë natyrorë, si amidoni i grurit, misrit ose patates, që si lëndë e parë për prodhimin e qeseve kushtojnë shumë.

Në këtë mënyrë, qeset me trashësi 35 mikron, vetëm shtuan, praktikisht dyfishuan sasinë e plastikës në qarkullim, pasi shumë rrallë, ose fare, u përdorën më shumë se një herë, duke u hedhur në koshin e mbeturinave nga familjet tona, menjëherë pas përdorimit të parë. Ndërsa qytetarëve iu rritën shpenzimet për ambalazhet në blerjet e tyre. Hallall nëse nga kjo rritje do të kishte përfituar natyra! Por natyra nga ky veprim i qeverisë u ngarkua dhe më shumë me materiale plastike.

Ndërkohë, megjithë modifikimin e legjislacionit, përmes VKM-së 232, dhe futjen në supermarkete të qeseve më të trasha, qeset plastike njëpërdorimshe me trashësi 15-18 mikron vijuan të përdoreshin dëndur gjatë gjithë periudhës maj 2018-maj 2022, pasi kushtonin më lirë dhe ishin më komode në përdorim.

 

Ligji i “Grimcave plastike”. Çfarë ndodhi më 1 qershor 2022?

Më 16 tetor të vitit 2019, ministri i atëhershëm i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, shpalli nismën “Shqipëria vendi i parë europian pa qese plastike”.  Pas nismës qëndronte një projektligj i përgatitur nga Ministria e Mjedisit, i cili  i gjobiste me 500 mijë lekë ata që prodhonin, importonin apo hidhnin në treg qese plastike njëpërdorimshe. Në rast përsëritjeje, vlera e gjobës trefishohej në 1.5 milionë lekë dhe sekuestrohej e gjithë sasia e qeseve plastike të ndaluara.  Në rast se e përsërisnin për të tretën herë, bizneseve u hiqej licensa.

Ky projektligj u shty në kohë, për shkak të pandemisë dhe të kundërshtive të bizneseve që prodhojnë(industria e riciklimit) dhe importojnë qese. Industria e reciklimit kishte një vëllim punësh 50 milionë euro dhe 29 nga të 62 sipërmarrjet e saj prodhonin qese njëpërdorimshe.

Ky draft-ligj u kthye në ligj dy vjet më vonë, me Ligjin me Nr. 28/2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin me nr. 10 463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”, të miratuar në Kuvend më 17 mars 2022 (https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20220330204535ligj%20nr.%2028,%20dt.%2017.3.2022.pdf).

Ndryshimi nga drafti i Klosit ishte që tani, qeveria e dyfishoi kërkesën për qeset plastike të okso-degradueshme, duke ua dyfishuar trashësinë nga 35 në 70 mikron dhe duke përcaktuar përmasat, të cilat duhet të ishin 50 cm gjatësi dhe 24 cm gjerësi, me kapacitet mbi 10 kilogramë dhe me trashësi për çdo anë mbi 70 mikron.

Qeset plastike me trashësi 70 mikron, të lejueshme sipas ligjit të 17 marsit 2022

Ligji u mbiquajt ligji i “grimcave plastike”, nga ata të paktë nga ne, që kuptuan absurditetin e  përdorimit të qeseve të rënda plastike të okso-degradueshme.

Plastika e re: atentat ndaj sigurisë ushqimore

Qesja e okso-degradueshme ka dhe një rrezik të lartë dhe një problem të madh, sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Duke qenë se me ligj, mbi 55 përqind e lëndëve të para të prodhimit të saj, vijnë nga industria e riciklimit, kontakti i ushqime të freskëta me këtë qese nuk është i këshillueshëm, pasi ul ndjeshëm sigurinë ushqimore, ngaqë nuk dihen burimet e ricikilimit të lëndës së parë të qeses. Këtë qese asnjë vend i Bashkimit Evropian nuk do ta toleronte të merrte kontakt me ushqimet e freskëta të pa-paketuara. Tek ne kjo ndodh rëndom.

Qeveria, e trullosur nga pozitiviteti i nismës në pamje të parë, si nisma e “të ardhmes pa qese plastike në Shqipëri”, apo deklarata butaforike si “Shqipëria, vendi i parë në Evropë pa qese plastike!”, e keqdrejtuar nga një padije totale e dëmit nga grimcat plastike, por e mbushur me hosanarat e relacionit të projektligjit, se gjoja jemi në linjë me Direktivat e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e mjedisit dhe uljen e përdorimit të lëndëve plastike, me rezultat kufizimin e mbetjeve plastike, shpalli 1 qershorin 2022 si ditën e parë të zbatimit të ligjit të ri.

Ndoshta qeveria me sinqeritet shpresonte se këto qese dy herë më të rënda do të përdoreshin më në fund disa herë. Por kjo nuk ndodhi.

Në të vërtetë, nga 1 qershori, me qeset plastike si në figurën më sipër, dyfish më të rënda dhe me dyfish më shumë plastikë se sa qeset me trashësi 35 mikron, ne kemi katërfishuar praninë e plastikës në mjediset tona! Sërisht, këto qese po përdoren nga qytetarët vetëm një herë dhe sërisht nuk po kthehen në qese shumëpërdorimshe. Ligji dhe nisma qeveritare kanë dështuar tërësisht.

Çfarë kemi arritur, është se kemi dyfishuar çmimin e ambalazhit plastik për qytetarët tanë, gjoja në emër të mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të fëmijëve tanë.

 

Si e ka zgjidhur Bashkimi Evropian, të cilit duam t’i bashkohemi?

Direktiva Evropiane me Nr. 720 e vitit 2015 (https://www.sistemasmedioambientales.com/en/directive-eu-2015720-plastic-bags#:~:text=Plastic%20bags%20are%20one%20of,units%20in%202019%20and%202025.) , parashikonte që të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian ta kishin pakësuar përdorimin e qeseve plastike në 90 qese në vit për frymë në vitin 2020 dhe në 40 qese për frymë në vitin 2026. Të 27 shtetet anëtare të BE-së, kush më shumë e kush më pak, udhëtojnë që të gjitha në këtë drejtim, duke reduktuar ndjeshëm praninë e plastikës në vendet e tyre.

Evropa e Bashkuar ka zgjedhur dy rrugë. E para është nëpërmjet përdorimit të qeseve plastike tërësisht me përbërës elementë natyrore, pra amide të grurit, misrit dhe patates. Këto qese janë shumë të lehta, me trashësi 12 mikron dhe janë tërësisht të biodegradueshme(treten). Për këtë rrugën e parë, në Shqipëri kemi një kompani pioniere, e cila ndodhet në Durres dhe ka teknologji të fundit, që prodhon qese 12 mikron tërësisht të bio-asimilueshme. Por kjo kompani rrezikon seriozisht të falimentojë, pse shteti dhe qeveria jonë nuk mbështesin qeset plastike të bio-degradueshme. Madje shpesh ka ndodhur që supermarketet që tregtojnë qese të tilla janë gjobitur, pasi kontrollorët tanë i kanë kapur me qese me trashësi 12 mikron, pra kundër ligjit! O Tempora o mores! Tek ne gjobitet ajo sipërmarrje që i ofron qytetarit qese plastike tërësisht të tretshme nga mjedisi! Kontrollori ynë mund të thotë me të drejtë:”Si ta dalloj unë që nuk është një qese njëpërdorimshme ndotëse, por qese e bio-asimilueshme?!” Për këtë, qeveria jonë mjafton të shpenzojë një fond prej vetëm 150 mijë euro dhe të blejë një laborator që kryen matjet e lëndës plastike. Kontrollori do të mund të çonte mostrat në laborator dhe të dallonte ndryshimin. Sa më shpejt ta blejë qeveria jonë këtë laborator, aq më mirë do të jetë për ekonominë dhe shoqërinë tonë, për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Rruga e dytë e zgjedhur nga BE është ajo e përdorimit të trastave prej cope dhe e promovimit dhe subvencionimit pjesor nga Shteti të kostove të tyre.

Qeveria jonë ka pikërisht këto dy rrugë, për të ndihmuar realisht shëndetin e fëmijëve tanë dhe për të mbrojtur të ardhmen tonë nga helmimi nga mbetjet plastike. Duhet të veprojë një orë e më parë drejt këtyre dy alternativave dhe të korrigjojë ligjin absurd që ka miratuar Kuvendi katër muaj më parë. Dhe jo të katërfishojë praninë e plastikës nga nisma të tilla të dëmshme, me fasadë pseudo-fisnike.

 

 

 

Më shumë


spot_img
spot_img
spot_img