
Kryeministri Edi Rama kthehet nga Brukseli dhe komenton fatin e Shqipërisë për çeljen ose jo të negociatave për anëtarësim.
Në një lidhje direkte nga zyra në Kryeministri, Rama nuk ka shprehur optimizëm, thotë se fjala e fundit nuk është thënë ende, dhe se kanë mbetur disa orë derisa Këshilli Europian të marrë vendimin.
“Nuk është problem i yni,” tha Rama për një televizion shiptar, duke shpjeguar se sipas tij Europa është e ndarë në dy kampe, shtetet që kërkojnë zgjerimin dhe shtete si Franca që kërkojnë reformimin e procesit tradicional të zgjerimit.
Pjesë nga deklarata e Ramës:
Ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut nuk ka qenë një opsion i shumicës, ka qenë një qasje e një numri shumë të vogël vendesh dhe përkatësisht, e vendeve që sot janë në anën e atyre që nuk refuzojnë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sepse kjo është kulmi. Të gjithë krerët e BE i thonë shqiptarëve se ky është një problem i yni dhe nuk ka të bëjë me ju, dhe gjithollogët shqiptarë vazhdojnë me avazin që kjo çështje nuk lidhet me ne.
Gjermania dhe një front i gjerë që sot dhe tani po mbron idenë që duhen çelur negociatat, dhe nga ana tjetër Franca dhe dy apo tre vende pas saj që mbrojnë idenë se nuk duhet vazhduar më tutje në formën tradicionale por duhet një qasje e re. Jemi në kushtet kur as Shqipëria dhe as Maqedonia e Veriut, nuk kanë asnjë lidhje me atë që po debatohet tani në tryezën e KE. Fjala e fundit akoma nuk është thënë, do të merret nesër edhe pse qëndrimi i presidentit francez nuk është një qëndrim që ndez shpresën ditën e sotme.
Përderisa debati në KE sot, zhvillohet për këtë çështje do të thotë që nuk ka një përfundim akoma. Nga ana tjetër dua ta theksoj se procesi i integrimit europian për ne është një proces që ne e kemi bërë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë jo se na e kërkon Parisi e Brukseli por për një transformim të një shteti demokrat europian. Nuk është se po e bëjmë për ata. Ndërkohë që Maqedonia e Veriut për të thënë të vërtetën ndryshimin e emrit e bëri për ata.