Kryeministri Edi Rama është pyetur nga gazetarët nëse ka “gisht” presidenti i Turqisë, Erdogan për mbylljen e shkollës “Mehmet Akif” në Tiranë.
Rama tha se do të ishte një shkelje e Ministrisë së Arsimit nëse nuk do të vepronte, teksa tha se askush nuk mund ti bëjë presion pasi është kryeministër i zgjedhur nga shqiptarët dhe nga asnjë vend tjetër.
“Merrni dhe shikoni dokumentacionin. Po të ishte çështjes politike dhe e mbylljes me natyrë politike, pse do merreshim me një kolegj vajzash. Ka plot struktura atje që si ka ngacmuar askush. Siç kemi vepruar me çdo subjekt, Ministria e Arsimit nuk është hera e parë që i heq licencën një institucioni.
Do ishte shkelje nga Ministria nëse nuk vepronte në këtë rast. Ky aktivitet është transferuar në një godinë tjetër dhe nuk është marrë miratim. Nuk ekziston që të niset me një licencë këtu dhe ta bësh diku tjetër. Doni të kërkoni parapa konspiracioni, mua nuk më bën presion askush, asnjë lloj politikani apo përfaqësuesi i asnjë shteti, në asnjë lloj forme këtu apo jashtë sepse unë jam kryeministri që më kanë zgjedhur shqiptarët, smë ka zgjdhur as amerikanët, as turqit, as francezët, as angles, as italian” tha Rama.
Ndërsa i pyetur se përse nuk është inaguruar akoma xhamia e Tiranës, Rama tha se është bërë nga një donacion turk dhe ata vendosin se kur mbarojnë punimet dhe kur hapet.
“Qeveria nuk inauguron xhami. Xhamiat janë vepra në funksion të komuniteteve, xhamia e Tiranës është donacion turk dhe i takon dijanetit turk për komunitetin mysliman shqiptar të vendosi kur mbarojnë punimet, nuk i takon qeverisë as ta afrojë edhe as të shtyjë inaugurimin. Të gjitha këto janë të nevojës për të treguar një përrallë. Nëse se kemi parë dhe s’doni ta pranoni se kurrë më parë Shqipëria në të gjithë forumet ndërkombëtare nuk e ka se ka pasur dinjitetin që ka sot, mos e shihni.Po është dinjiteti i Shqipërisë jo i imi. Mua dhe qeverinë e Shqipërisë nuk na dikton për asgjë askush. Jemi këtu për interesat e shqiptarëve në krah të kujtdo dhe përballë kujtdo” tha Rama.