Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OpEd

A e ka caktuar “Mbreti” presidentin?

Shkruar nga Newsbomb
A e ka caktuar “Mbreti” presidentin?

Edi Oga, ekskluzivisht për newsbomb.al.

Edhe pasi të largohet Meta, me shumë gjasa shqiptarët nuk do të kenë një president “të vërtetë”, siç e përshkruan dhe e kërkon kushtetuta, siç e duan shqiptarët, siç duhet të jetë “qyetetari numër 1 i një vendi të lirë e demokratik”, në fund të fundit!

Përderisa Presidentin e propozon (lexo përcakton) dhe e voton shumica qeverisëse (lexo e vendos Edi Rama), ai nuk mund të jetë veçse një “excrement” i politikës aktuale. Një person me një farë stature publike, pa valencë elektorale domethënëse, i njohur dhe “i mbështetur” nga ndërkombëtarët, por mbi të gjitha një njeri që ka pësuar “karizmën” e Ramës dhe që mund të mbijetojë për bukuri nën “hyqmin” e tij, qoftë ky edhe fakt i pashpallur publikisht. Pra në botëkuptimin e tij politiko-socio-antropologjik, Ramës i duhet një “xhol”, dikush pak më lart sesa një idiot i dobishëm.

Nuk është rastësi që të gjithë këto të dhëna të këtij ekuacioni priten tek personi Lulzim Basha. Ashtu siç në mënyrë të beftë Rama “gozhdoi” Ilir Metën në karrigen e Presidentit të Republikës, me shumë gjasa ai njejtë do të veprojë edhe me Lulzim Bashën.

Përse Basha president i intereson Kryeministrit Rama?

1.            E ka nën “hyqëm” dhe e përdor si të dojë.

2.            E ka armik “të përbetuar” të Berishës dhe Metës.

3.            Duket “bukur” përpara ndërkombëtarëve, të cilët “e mbështesin” Lulin.

Përse Bashës i intereson të bëhet president?

1.            Frenon rënien e tij “të lirë” si politikan karriere.

2.            Kalon nga një karrike tek një tjetër karrike, madje me shpinore më të lartë.

3.            Ka katër vite kohë dhe mjaftueshëm resurse për të “kuruar” një formacion politik “opozitar”, për t’u dukur sikur vërtetë po ushqen ambicje (që në realitet nuk i ka) për kryeministër.

4.            Pas mandatit të parë presidencial, mund të vijë edhe një mandat i dytë.

A i intereson liderit aktual të Partisë Demokratike, Sali Berishës, një president si Lulzim Basha?! Meazallah! Këtë e kupton çdokush që ka filluar të interesohet për politikën qoftë edhe vetëm pas 25 Prillit të vitit të kaluar e në vazhdim!

Tre presidentët e fundit, kanë qenë persona me të kaluar të ditur si drejtues të lartë të partive politike. Pavarësisht përzgjedhjes përmes “pompimit” të vlerave të tyre personale, kryesisht si persona me integritet, në të gjitha rastet ata e kanë pasur të pamundur që në detyrën e tyre të ngrihen “mbi palët”. Në radhë të parë sepse kanë qenë persona thellësisht politikë, në radhë të dytë, nuk e kanë parë Presidentin si kontributin e tyre fundor, por si trampolinë për të avancuar në ambiciet e tyre arriviste politike.

Pavarësisht se në “diskursin presidencial” të partisë në pushtet, të shprehur nëpërmjet figurave të saj sekondare, “identikiti” i presidentit të ardhshëm është një femër, duhet pritur verdikti i “mbretit”. Mbase ai e ka vendosur që tani, mbase është duke negociuar për të (negocio-dyqan, pra duke bërë pazare). ¬Një gjë është e ditur, mbreti gjithmonë na befason me gjetjet e tij!

A do të ishte Lulzim Basha një befasi?!

Sondazh

Poll