
Sot, më 20 Dhjetor 2023 bëhen 80 vite nga rënia heroike e Ali Demit, të riut nga Filati i Çamërisë që ra për lirinë e Shqipërisë. Në vendlindje ai mori mësimet e para dhe në vitin 1927, ndoqi shkollën në Sarandë e gjimnazin në Gjirokastër.
Pas ngjarjeve të kryengritjes antizogiste të Fierit, Demi organizoi revoltën e nxënësve për kushtet e këqija të jetesës. Si rrjedhojë, u përjashtua nga shkolla dhe regjistrohet në gjimnazin e Tiranës, ku njihet me Qemal Stafën dhe Vasil Shanton. Në vijim, anëtarësohet në njësitin gueril të Tiranës.
Në dhjetor të vitit 1943, në një bazë të Kaninës së Vlorës, Ali Demi 25-vjeçar u rrethua nga forcat gjermane dhe u qëllua për vdekje.
Në 5 korrik 1945 u shpall “Hero Kombëtar” nga Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar. Po ashtu, Demi u dekorua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me dekoratat “Urdhëri i Flamurit”, “Medalja e çlirimit”, “Medalja e Trimërisë”, “Medalja e Kujtimit”. //AQSH