Hapësire reklamuese

Sporti

8 vite në arrati, Indrit Fortuzi thyen heshtjen

Shkruar nga Newsbomb
8 vite në arrati, Indrit Fortuzi thyen heshtjen

Ai është nga ata futbollistë që kanë nick-name “legjendë e gjallë”. Indrit Fortuzi, prej 8 vitesh vetëm ka heshtur. Ambientet sportive të Tiranës së zhurmshme dhe jo vetëm ato, largimin e tij nga Shqipëria e atashojnë me probleme borxhesh të pakthyera. Vetë Fortuzi që donte të largohej lavdishëm pranon gabimet e bëra në të shkuarën.

Si rrallëkush më parë bën edhe meaculpa: U jap të drejtë atyre që flasin keq për mua. Janë borxhe të frikshme, por po i rikuperoj dalëngadalë… Në një rrëfim ndryshe të djalit tironas do të flasim vetëm për futbollin dhe nostalgjinë që ka për tapetin e blertë ku kaloi kohën e tij të artë dhe të shkëlqyeshme…

“Danoço, nuk jap intervista unë”. Indrit Fortu[1]zi dukej i prerë. Prej 8 vitesh i larguar nga Shqipëria, nuk kishte folur kurrë. Kontaktet i ruante vetëm me miqtë e ngushtë. Unë nuk e diskutoja se do të arrija ta bindja. M’u duk sikur ishim përballë në fushë dhe studionim të dy lojën e njëri-tjetrit. “Ku e ke marrë numrin e telefonit?”, ishte pyetja e radhës. Vura buzën në gaz dhe me stilin e kundërsulmit ia ktheva: “Aty në shkallët e stadiumit që të ndiqja në vitet 2000 teksa “fluturoje” nga një portë në tjetrën”.

Akujt u shkrinë. Arrita t’ia fitoja “kalanë nga brenda”. Indriti e kuptoi se isha një nga “ata”. Një pasionant i hershëm stadiumi dhe për herë të parë pas kaq shumë vitesh pranoi të fliste.

Koha kaloi pa e kuptuar, ndërsa me kureshtje dëgjoja Indritin të fliste. Djaloshi që vjen nga rruga “Fortuzi”, “fabrika e prodhimit” të yjeve të futbollit shqiptar, ishte mjaft i emocionuar. Pikërisht aty ku kishin lindur Skënder Halili, Panajot Pano, Blendi Nallbani dhe Gani Merja, legjenda e Tiranës mbart histori me vete me klubin më të titulluar në Shqipëri. Të shumtë janë ata që e kujtojnë si sulmuesin që rrëzonte si birila kundërshtarët duke e bërë shënimin e golit art më vete. Ndaj mori edhe nofkën “Zogu” për lehtësinë që arrinte të shënonte falë cilësive teknike. Ia premtova në nisje se ky rrëfim special për Newsbomb.al do të ishte vetëm për Fortuzin e fushës së blertë dhe jo atë të politikës.

Me mirësinë e tij e miratoi. Fliste pa ndrojtje. Kujtonte me emocion gjithë kohën e kaluar në futboll, që e theksoi disa herë se për të është jeta. Shqipërinë e cilësoi si vendin ku ka lënë zemrën. “Të jem i sinqertë kam bërë disa gabime në të shkuarën. Njerëzit edhe mund të flasin keq për mua. U jap të drejtë”, ishte një nga rreshtat që më mbeti më shumë në mendje. Indriti kërkonte të bënte “Mea Culpa”. Shpesh thonë që “Më mirë vonë se kurrë”. E ndoshta tanimë ai ka kohën e duhur për të sistemuar gjithë të shkuarën jashtë fushës së blertë.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e njëzetedy të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg prej datës 20 Qershor dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese