Tirana
clear sky
20.5 ° C
20.5 °
20.5 °
64 %
2.1kmh
0 %
Enj
39 °
Pre
32 °
Sht
35 °
Die
37 °
Hën
37 °
E enjte, 5 Gusht, 2021

7 pikat në deklaratën e shqiptarëve, kërkesat e guximshme pritet të përballen me kundërshtinë e maqedonasve

spot_img
spot_img
spot_img

Lajme të ngjashëm

Partitë politike shqiptare nëpërmjet një deklarate të përbashkët kanë bërë të ditura kushtet me të cilat ato janë të gatshme të formojnë Qeverinë e re me një prej partive maqedonase.

7 pika përmban deklarata e shqiptarëve dhe kërkesat e guximshme por legjitime pritet të përballen me kundërshtinë e maqedonasve, përfshi partinë e LSDM të Zoran Zaev, që gjatë fushatës mbajti një qëndrim më afër shqiptarëve.

Në pikën e parë “Arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën” janë listuar katër kërkesa, të cilat do të ngrejnë një debat të gjerë në shtetin fqinj.

Partitë kërkojnë që shqiptarët të njihen si popullësi shtet-formuese në Maqedoni; gjuha shqipe të bëhet zyrtare në të gjithë vendin; të nisë një debat për simbolet shtetërore të Maqedonisë ku të përfshihet edhe elementi shqiptar; si dhe të dënohet gjenocidi ndaj shqiptarëve në Maqedoni në përiudhën 1912-1956.

Një tjetër kërkesë e rëndësishme është zbardhja e procesve “Monstra”, “Kumanova”, “Sopoti” dhe “Brodeci”.

Janë këto kërkesa që sot për maqedonasit janë tabu dhe sikur partitë shqiptare të mos kishin në dorë krijimin e Qeverisë së re, ato as nuk do të mendoheshin dhe jo më të vendoseshin në tavolinën e diskutimeve siç do të ndodh tani.

Pikat e tjera përmbajnë kërkesa për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në institucionet qëndrore dhe lokale, përfshirjen e tyre në diskutimet me vendet fqinje, integrimin në NATO dhe BE, si dhe zgjidhjen e çështjes së emrit.

Deklarata e plotë:

1.            Arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën

•             Zbatimi i përpiktë i parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e RM, ku shqiptarët njihen si popullësi shtet-formuese. Mbështetje e çdo iniciative ligjore dhe kushtetuese që përforcon barazinë etnike për popullësinë shqiptare.

•             Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se “gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”.

•             Debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetëtore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multietnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike.

•             Miratimi i një Rezolute në Parlamentin e Maqedonisë me të cilën dënohet gjenocidi ndaj popullit shqiptar në Maqedoni në periudhën 1912 – 1956.

2.            Arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal

•             Krijimi i një mekanizmi të ri, në formën e një Komisioni Shtetëror për Financimin e Komunave, për një vendimarrje më të drejtë për grantet qeveritare në përfitim të komunave.

•             Krijimi i një Ministrie për Sistem Politik dhe Marredhenie midis Komuniteve, si organ përgjegjës për respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në zonat e defavorizuara.

•             Realizimi i përfaqësimit të drejtë në organet e sigurisë, ushtrisë, inteligjencës dhe të drejtësisë.

•             Realizimi i përfaqësimit të drejtë në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore si dhe në agjensitë publike ose ndërmarrjet me aksione publike.

3.            Përforcimi i sundimit të së drejtës, si parakusht për ecurinë e procesit të integrimit euro-atlantik

•             Zbatimi i planit të reformave në përputhje me Marrëveshjen e Shkupit, Rekomandimet e Pribese, rekomandimet urgjente te Komisionit Evropian si dhe Rekomandimet nga Dialogu i Larte Paraqases me BE.

•             Përkrahje e punës së paanshme të Prokurorisë Speciale, pa paragjykime etnike dhe politike.

•             Zbardhja e plotë e çështjeve dhe proceseve gjyqësore si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova” nëpërmjet një komisioni hetimor ose një trupe të pavarur ndërkombëtare.

4.            Krijimi i një fryme mirëbesimi në funksion të marrëdhënieve të mira ndëretnike si element thelbësor për stabilitetin politik të vendit

•             Marrja e masave afirmative për të siguruar financimin e institucioneve kulturore shqiptare në nivel vendor dhe qendror.

•             Krijimi i një institucioni qëndror për avancimin e gjuhëve të komuniteteve, i cili do të sigurojë përgatitjen e përkthyesve, redaktuesve dhe lektorëve.

5.            Zgjidhja e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat europiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare

•             Miratimi i një Rezolute të Perbashkët dhe Detyruese në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë me të cilën Qeveria e Republikës së Maqedonisë angazhohet në mënyre aktive në drejtim të zgjidhjes se cështjës së emrit.

•             Përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Greqinë.

6.            Marrëdhënie të mira me fqinjët

• Përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Bullgarinë.

•             Bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë për menaxhimin e integruar të kufijve.

•             Hapje e pikave të reja kufitare.

7.            Integrim i shpejtë në NATO dhe në Bashkimin Europian

•             Përmbushja e pikave të mësiperme do të zhbllokojë rrugëtimin e Maqedonisë drejt integrimit të plote në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anetarësim në Bashkimin Evropian.

Përmbushja e këtyre objektivave do të mbikqyret nëpërmjet krijimit të Tryezës së Partive Shqiptare Parlamentare.

Tryeza e Partive Shqiptare Parlamentare do të funksionojë sipas parimit të rotacionit dhe do të shërbejë si platformë për harmonizimin e aksionit politik dhe komunikimin transparent me partnerët ndërkombëtarë të Maqedonisë, duke kërkuar veçanërisht mbështetjen e Bashkimit Europian dhe institucioneve ndërkombëtare.

Tryeza do të përcaktojë afatet për realizimin e objektivave të sipërpërmëndura, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

Më shumë

spot_img
spot_img
spot_img