Hapësire reklamuese

Aktualitet

68-vjeçari vdiq në Gjykatë, avokati: Klientët e mi kanë vdekur duke pritur gjyqin

Shkruar nga Newsbomb
68-vjeçari vdiq në Gjykatë, avokati: Klientët e mi

Ilia Drini është 68-vjeçari i cili ndërroi jetë sot në ambientet e Gjykatës së Tiranës.  Sipas informacioneve paraprake dyshohet se i moshuari, profesor në profesion pësoi infarkt.

Burime për mediat bëjnë me dije se 68-vjeçari po hetohej në gjendje të lirë për veprën penale “dhunë në familje, përndjekje dhe shkaktim i vetëvrasjes” ndaj ish-bashkëjetueses së tij me të cilën kishte pasur një lidhje 3-vjeçare.

Kjo e fundit mësohet se e kishte kallëzuar Drinin në vitin 2020 për dhunë e përndjekje.

Sipas dosjes së Prokurorisë ish-bashkëjetuesja e 68-vjeçarit ka paditur të ndjerin për dhunë në familje dhe përndjekje. Madje ajo ka thënë në polici se dhuna e bashkëjetuesit  i ka shkaktuar depresion dhe se në ta kaluarën ka tentuar të vetëvritet duke pirë ilaçe.

Avokati i të ndjerit, Ndue Pjetra ka thënë për gazetarët se klienti i tij hetohej prej tre vitesh për dhunë dhe se nuk e kishte pranuar asnjëherë akuzën.

“Klienti im u hetua para tre vitesh për dhunë në familje dhe nuk e ka pranuar asnjëherë akuzën. Sot kisha për ta takuar në gjykatë, pas tre viteve hetime u kujtuan t’i ngrenë akuzë”, ka thënë avokati i të ndjerit.

I ndjeri Ilia Drini ishte një nga qindra qytetarë që janë në pritje të gjyqeve të tyre për shkak të  ngërçit dhe volumit të dosjeve në Gjykatën e Tiranës, e cila ndodhet përballë ngarkesave të mëdha, pas procesit të Vetting-ut dhe hartës së re gjyqësore.

Avokati i  68-vjeçarit që humbi jetën në Gjykatën Penale të Tiranës, tha për gazetarët sot se procesi ndaj klientit të tij ishte i vonuar. Ai u shpreh se 13 klientë të tij kanë vdekur deri tani duke pritur gjyqin.

 “Deri më tani mbi 13 klientë të mi kanë vdekur duke pritur gjyqin. I thonë 6 vjet 7 vjet, vetëm nga shkalla e parë në Apel. Gjykata vërtetë është e vështirë, duhet të dalin të shtunë e të diele të bëjnë gjyqe, jo t’i shtyjnë gjyqet me 5 muaj”, tha avokati.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese