Tonin Vocaj, drejtues i Policisë së Tiranës, ka treguar se nga megaoperacioni "Tempulli 2" që është zbatuar 24 orët e fundit në të gjithë vendin janë goditur 7 grupe kriminale, të cilat vepronin kryesisht në shpërndarjen e drogës në doza të vogla pranë shkollave.
Përsa i përket qarkut që drejton, Vocaj u shpreh në një intervistë për "News 24" se në Tiranë janë lëshuar rreth 91 masa sigurie dhe janë ekzekutuar 68 prej tyre.
23 shtetas të tjerë për të cilët janë lëshuar masa sigurie, vijojnë të jenë në kërkim dhe ekipet policore janë në terren për kapjen e tyre. Për 4 nga këta shtetas, është siguruar informacion se ndodhen jashtë Shqipërisë
Drejtori Tonin Vocaj është shprehur më tej se janë goditur struktura të vogla kriminale që kanë tentuar të shesin lëndë narkotike, kryesisht kokainë dhe hashash, pranë shkollave të mesme dhe atyre 9 vjeçare në Tiranë.
Lexo edhe: Megaoperacioni në Shqipëri, Rrumbullaku: Goditëm 7 grupe kriminale, 273 të arrestuar
"Struktura të vogla kriminale që kanë tentuar të shesin lëndë narkotike nëpër gjimnaze dhe shkolla 9 vjeçare. Numri i lartë i arrestimeve tregon që ky fenomen është shqetësues për qytetarët. Dua të garantoj që po punojmë për të minimizuar në maksimum këtë fenomen, sidomos pranë shkollave.
Ne kemi bashkëpunuar me drejtoritë e tjera vendore, në mënyrë të veçantë me fazën operacionale, pasi kemi kryer kontrolle banesash sot në Kuçovë, Fier, etj.
Janë goditur shtatë grupe kriminale, pjesa më e madhe e të cilëve e shtrijnë veprimtarinë në Tiranë. Ne kemi 23 shtetas që aktualisht po i kërkojmë, 4 janë jashtë Shqipërisë", u shpreh Tonin Vocaj, drejtues i Policisë së Tiranës, duke falenderuar për bashkëpunimin drejtuesin dhe prokurorët e Prokurorisë së Tiranës.