Gjashtë deputetë të Kuvendit të Serbisë kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kështu ka njoftuar sot zyra për shtyp e Qeverisë së Kosovës.
Ata janë pritur sot në takim nga kryeministri Albin Kurti, ku kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës.
“Gjashtë deputetë të Kuvendit Popullor të Serbisë e njohin pavarësinë e Kosovës dhe e përkrahin Qeverinë Kurti. Z. Sylejman Ugljanin, kryetar i Partisë Aksioni Demokratik i Sanxhakut, z.Shaip Kamberi, shef i Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak”, deputetët z.Enis Imamoviç, znj.Nadije Beqiri, z.Mirsad Hodzhiç, z.Argjend Bajrami, z.Selma Kuçeviç, ia shprehën gjithë përkrahjen e tyre Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në takimin që patën sot në zyrën e tij në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Në fjalën e tij para deputetëve, Kurti u shpreh se Serbia duhet të distancohet nga politika e kaluar e Slobodan Millosheviçit.
“Serbia duhet të distancohet nga e kaluara e përgjakshme dhe politika e Sllobodan Milosheviçit. Pa u distancuar dhe pa e bërë Serbia një analizë për të kaluarën e saj, nuk mund të ecet drejt të ardhmes dhe normalizimit të raporteve me Kosovën”, thuhet në njoftim.