Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

5 kompani të njohura ndërkombëtare pjesë e garës për projektin e portit të ri në Porto Romano, Balluku: Proces model, projekt me impakt rajonal

Shkruar nga Newsbomb
5 kompani të njohura ndërkombëtare pjesë e garës

Gara për projektin për ndërtimin e portit të ri në zonën e Porto Romanos në Durrës ka tërhequr vëmendjen e kompanive më të njohura në Europë, por edhe më gjerë, si dhe me eksperiencë të gjatë në fushën portuale dhe atë të infrastrukturës. Në garën për propozimet teknike, për ndërtimin e kësaj vepre, morën pjesë 16 operatorë ndërsa u përzgjidhen 5 prej tyre për në fazën finale.

Propozimet e tyre u prezantuan në Tiranë në prani të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Drejtorit të Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu, përfaqësuesve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave si dhe atyre të kompanive pjesëmarrëse në garë.

Tashmë do të jetë Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ai i cili do të përzgjedhë edhe kompaninë fituese, e cila do të hartojë edhe projektin final.

Në fjalën e tij, drejtori Vengu tha se gara për detajimin e Projektit u hap 3 muaj më parë, teksa ka pasur një interes të madh nga ana e kompanive të njohura ndërkombëtare.  Ai shtoi më tej se projekte të tilla krijojnë mundësi për rimëkëmbjen e sektorit detar në Shqipëri.

“Në përputhje me vizionin ekonomik dhe zhvillimor të Qeverisë kemi kërkuar nga kompanitë garuese që të ideojnë jo vetëm një Port, por një nyje të mirëfilltë logjistike. E kemi kërkuar këtë sepse kapacitetet aktuale në Portin e Durrësit janë të pamjaftueshme për të përballuar konkurrencën rajonale dhe volumet në rritje të transportit detar”, u shpreh Pirro Vengu.

Ministrja Belinda Balluku, në fjalë e saj, vlerësoi faktin se tashmë projektet e hartuara nga Qeveria Shqiptare po tërheqin gjithmonë e më shumë vëmendjen e kompanive të njohura jo vetëm në Europë, por edhe më gjerë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se porti i ri do të ketë një ndikim jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin.

“Të pesta kompanitë e kanë shumë të qartë para së gjithash se këtu nuk flitet thjesht për portin e një shteti të vogël. Këtu flitet për një port, “hub”, me rëndësi të veçantë rajonale. Këtu flitet për një port i cili synon të ndryshojë konceptin e tregtisë detare jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. Këtu flitet për një “hub” ekonomik, i cili do të reflektojë zhvillimin jo vetëm në territorin e Shqipërisë, por në të gjithë Ballkanin”, nënvizoi Balluku.

Durrësi po kthehet në një destiancion turistik europian dhe në një pikë referimi për Mesdheun, u shpreh Balluku, dhe për këtë arsye porti aktual për problematikat mjedisore që shkakton nuk mund të qëndrojë më në atë pjesë të qytetit. Zhvendosja e portit aktual, i hap rrugë edhe nisjes së projektit për ndërtimin e ballinës ujore.

“Këto dy projekte të integruara të cilat mbulojnë të gjithë industrinë detare nga sektori i jahteve, tek ai i terminalit të kontenierëve apo i mineraleve apo çdo shkëmbim tjetër tregtar, janë dy komponentë shumë të rëndësishëm të cilët duhet të ecin në mënyrë paralele. Kjo është dhe arsyeja pse kemi atë presionin e kohës. Pra sa më parë ne arrijmë dhe hedhim hapat për fazat e ndërtimit të portit të ri në Porto Romano aq më shpejt ne hapim mundësinë e zhvillimit në portin aktual të Durrësit të kësaj marine elitare, duke e kthyer Shqipërinë në një ‘hot spot’ turistik për të gjithë Mesdheun dhe për të gjithë Europën”, shtoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Kompania fituese do të hartojë projektin final dhe më pas procedura do të vijoj me hapjen e garës ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri i cili do të ngrihet në zonën e Porto Romanos në Durrës.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll