Hapësire reklamuese

Aktualitet

49% e shqiptarëve po mendojnë seriozisht të ikin, më e larta në rajon

Shkruar nga Newsbomb
Ilustruese

Gati gjysma e shqiptarëve (49%) po mendojnë seriozisht që të ikin nga vendi, sipas një sondazhi që zhvilloi Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Ata po informohen në mënyrë aktive rreth mundësive dhe alternativave që kanë, po shqyrtojnë dhe po aplikojnë për vende pune të lira, apo dhe kanë konkretizuar tërësisht dhe po përfundojnë çështjet administrative.

Kjo është përqindja më e lartë në rajon dhe raporti thekson se Shqipëria është e vetmja ekonomi në rajon ku numri i atyre që duan të largohen ia kalon atyre që duan të qëndrojnë (49% kundrejt 46%, ndërsa 5% u përgjigjën që nuk e dinë).

Pas nesh, për përqindjen e atyre që po marrin në konsideratë të ikin renditet Mali i Zi me 47%, Bosnja, me 44%, Kosova me 43%, Maqedonia e Veriut me 41%. Më të kënaqur me vendin e tyre janë serbët, me vetëm 37% që po marrin në konsideratë që të largohen.

Shqiptarët kanë dhe përqindjen më të lartë të atyre që jo vetëm duan të ikin, por edhe kanë ndërmarrë hapa konkrete për ta bërë këtë. 33% e atyre që konsiderojnë të largohen, po informohen në mënyrë aktive rreth mundësive dhe alternativave që ata kanë, më e larta nga gjithë shtetet e tjera. 14% po shqyrtojnë dhe po aplikojnë për vende të lira pune, 4% pohojnë se kanë konkretizuar gjithçka dhe aktualisht po përfundojnë çështjet administrative.

48% thonë se thjesht po mendojnë të ikin dhe s’kanë ndërmarrë ndonjë veprim tjetër konkret. Kjo përqindje është më e ulëta nga shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ku pjesa më e madhe e të anketuarve që po marrin në konsideratë të largohen nga vendi, thanë se ata po e mendojnë emigrimin, por nuk është se kanë bërë ndonjë lëvizje në këtë drejtim. Psh, 72% e serbëve që duan të ikin thanë se kjo ishte thjesht një ide.

Raporti thekson se për të gjithë Ballkanin ka një tendencë të shtuar për t’u larguar, në raport me sondazhet e mëparshme, me një rritje prej 4 pikë përqindje, duke arritur në 43% të Ballkanit Perëndimor që merr në konsideratë të emigrojë, nga 39% në 2018-n.

Për shqiptarët, edhe integrimi në Europë do të thotë në radhë të parë mundësi për të emigruar ose studiuar, sipas 60% të të anketuarve, sërish më e larta në rajon dhe më pas prosperiteti ekonomik.

I gjithë Ballkani Perëndimor synon të ikë në BE dhe shumë pak duan të largohen në një vend të rajonit. P.sh 3% e shqiptarëve që mund të merrnin në konsideratë të jetonin në një vend tjetër të Europës Juglindore do të zgjidhnin Kosovën dhe po aq Malin e Zi. Në të kundërt, shtetasit e Kosovës, si preferencë të parë kanë Bosnjë Hercegovinën, që është zgjedhur nga 3% e atyre që konsiderojnë të emigrojnë në rajon, ndërsa Shqipëria vjen e dyta, me 2%.

Përqindjen më të lartë të konsideratës për të jetuar në një vend tjetër të Ballkanit e kanë malazezët, 18% e të cilëve zgjedhin Serbinë. Ndërsa më patriotët janë serbët, me 93% të tyre që nuk e marrin në konsideratë të jetojnë në një vend tjetër të Europës Juglindore, më e larta në rajon./Monitor

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll