Një shqiptar është arrestuar nga karabinierët në Itali, pasi është kapur me një sasi prej 21.5 kilogramë drogë. Emri i tij nuk bëhet me dije, por autoritetet në vendin fqinj thonë se ai është ndaluar me një makinë luksoze Porche, vlera e të cilës shkon në 100 mijë euro.
“[…] në makinë ka fshehur mbi njëzet kilogramë drogë, gati për t’u shitur sipas hetuesve. Protagonisti i historisë është një tridhjetë e tetë vjeçar nga Shqipëria, banues në Pistoia, i arrestuar nga karabinierët e Pratos (në Toskanë) pas një hetimi të kujdesshëm dhe një sërë përndjekjesh”, raportojnë mediat italiane.
Shqiptari ishte duke lëvizur me makinën luksoze kur është ndaluar nga karabinierët, pikërisht për shkak të dyshimeve për vlerën e lartë që ka ky mjet. Ai ishte i papunë, me raste punonte, dhe makinën e kishte regjistruar në emër të babait të tij.

Nga kontrolli, mes sediljeve të automjetit dhe kroskotit, u gjetën 21.5 kilogramë drogë; dy kilogramë kokainë (të ndara në dy pako nga një kilogram secila) dhe 19.5 kilogramë hashash, e ndarë në tableta nga njëqind gramë secila. Sipas hetuesve, nëse do ishte shitur droga do kapte vlerë rreth 700 mijë euro.
Hetuesi beson se pjesa më e madhe e drogës së sekuestruar ishte e destinuar për tregtarët e drogës aktivë mbi të gjitha në sheshet e Toskanës veriore dhe zonave përreth. Sidomos në kryeqytetin e Pratos, ku shtetasi shqiptar ishte vënë re vazhdimisht duke u takuar me subjekte që tashmë dyshohej se merreshin me trafik droge. Autoritetet italiane kanë arrestuar dhe 22-vjeçar rumun në Calenzano (në provincën e Firences), si i dyshuar i lidhur me këtë rast.