Hapësire reklamuese

Politikë

33 vjet pluralizëm politik në Shqipëri, Partia Demokratike feston e ndarë themelimin

Shkruar nga Newsbomb
33 vjet pluralizëm politik në Shqipëri, Partia Demokratike feston

Partia Demokratike e Shqipërisë feston sot 33 vjetorin e themelimit të saj, prej 11 Dhjetorit 1990. Katër muaj më pas, në zgjedhjet e parakohshme të 22 Marsit 1992 Partia Demokratike fitoi shumicën absolute duke simbolizuar futjen e demokracisë dhe të pluralizmit politik në Shqipëri.

Forca politike e qendrës së djathtë u krijua nga një grup studentësh dhe intelektualësh shqiptarë të cilët zgjodhën si Kryetar të Komisionit Nismëtar studentin Azem Hajdari dhe më pas si Kryetar të Partisë, kardiologun Sali Berisha. Ajo qeverisi deri në vitin 1997.

Gjatë kësaj periudhe qeveria e Partisë Demokratike kreu një sërë reformash për të liberalizuar vendin, për të ndërtuar ekonominë e tregut të lirë, për të siguruar sundimin e ligjit dhe për ta konsoliduar sistemin demokratik zgjedhor.

U privatizuan mijëra ndërmarrje të vogla e të mesme, u liberalizuan çmimet si dhe u ngrit sistemi fiskal e ai bankar, dhe vendi praktikisht shpëtoi nga kthetrat e urisë dhe mjerimit.

Në hapjen e saj ndaj botës së jashtme, Shqipëria nënshkroi qindra marrëveshje bashkëpunimi me vendet e Europës dhe më gjerë. Partia Demokratike është anëtare e asociuar e Partisë Popullore Evropiane dhe anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Demokratik Ndërkombëtar.

Gjatë trazirave të vitit 1997, që u shkaktuan nga rënia e firmave piramidale, qeveria e Partisë Demokratike me kryeministër Aleksandër Meksin dha dorëheqjen dhe u zëvendësua nga një qeveri kalimtare e drejtuar nga Bashkim Fino i Partisë Socialiste.

Në zgjedhjet e parakohshme të qershorit të vitit 1997 të zhvilluara në një atmosferë jo të qetë, ku kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike nuk mund të bënin fushatë zgjedhore, për shkak të dhunës së bandave të armatosura që përkrahnin Partinë Socialiste, Partia Demokratike kaloi në opozitë. Zgjedhjet u fituan nga Partia Socialiste e Shqipërisë.

Në vitin 2005, Partia Demokratike u rikthye në pushtet më sloganin “Koha për Ndryshim”, duke premtuar përçimin e vlerave dhe vazhdimin e ndryshimeve të nisura në vitin 1992 - si liria, liberalizimi dhe rruga drejt prosperitetit.

Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike fitoi më shumë vende në parlament se koalicioni i drejtuar nga Partia Socialiste, por iu desh koalicioni me partinë e majtë Lëvizja Socialiste për Integrim për të krijuar qeverinë.

Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike u krijuan kushtet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, gjë që u realizua më 2 prill 2009. Gjithashtu, u plotësuan të gjitha kushtet dhe kriteret për heqjen e vizave me vendet e Bashkimit Europian. Mbas miratimit të këtij vendimi nga Parlamenti Europian, ai hyri në fuqi më 15 dhjetor 2010.

Në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike humbi ndaj koalicionit të drejtuar nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe dha dorëheqjen. Një muaj më vonë, u zhvilluan zgjedhjet sipas parimit një anëtar një votë, mes kandidatëve Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha.

Zgjedhjet u fituan nga Lulzim Basha, por pati kontestime nga kundërshtari tjetër Sokol Olldashi.

Që nga viti 2013, Shqipëria drejtohet nga Partia Socialiste me në krye kryeministrin Edi Rama, në mandatin e tretë radhazi. Kjo është hera e parë në historinë e Shqipërisë që një parti politike arrin të marrë tre mandate dhe vazhdon drejtimin e vendit. Socialistët dominojnë prej disa zgjedhejesh edhe në pushtetin lokal.

Partia Demokratike që nga viti 2013 ka parë një rënie të ndjeshme të anëtarësisë dhe rrjedhimisht të votuesve të saj, për shkak të qëndrimit jashtë pushtetit për më shumë se një dekadë dhe problemeve të brendshme.

Sot, 33 vite nga themelimi i saj, demokratët janë më të ndarë se kurrë më parë. Dy vitet e fundit, Partia Demokratike është ndarë në të paktën tre fraksione që veprojnë të ndarë dhe kundër njëri-tjetrit, duke humbur çdo betejë zgjedhore.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese